MASH: “Komisioni për kandidatët për shkollë të lartë që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë shtetit”
Ministria e Arsimit ka ngritur komisionin e posaçëm për ekuivalentimin e kërkesave të shtetasve shqiptarë që kanë kryer shkollat e mesme jashtë shtetit dhe duan të japin provimet e Maturës Shtetërore 2008. Ky komision kryesohet nga drejtori i Kurrikulave në MASH. Të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë shtetit, duhet të paraqesin për ekuivalentim pranë këtij komisioni në Drejtorinë e Kurrikulës në MASH deri më 15 prill 2008 dokumentet e mëposhtme: kërkesë me shkrim për të vazhduar shkollën e lartë publike; diplomë përfundimtare origjinale të shoqëruar me vërtetimin origjinal për notat e mbarimit të shkollës së mesme, si dhe kopje e këtyre dokumenteve, të përkthyera dhe të noterizuara; fotokopje të noterizuar të pasaportës ose certifikatë lindjeje me fotografi;
Komisioni i posaçëm, pasi njeh vlefshmërinë e dëftesës shkollore, përcakton mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur nga shtetasi, nëse provimet e dhëna që figurojnë në diplomën përfundimtare janë ekuivalente me Maturën Shtetërore. Formularët A2 duhet të plotësohen nga kandidatet brenda datës 30 qershor 2008 dhe dorëzohen në Komisionin Shkollor të Maturës Shtetërore.
J.Tashi
13 Mars 2008