Projektligji, rregullat e reja për regjistrimin e mjekëve
Funksioni dhe kompetencat e institucioneve mjekësore. Të drejtat dhe përgjegjësitë e qytetarëve ndaj institucioneve shëndetësore
Emanuela Sako
Ministria e Shëndetësisë ka gati draftin për vendosjen e rregullave të reja për regjistrimin e mjekëve në sistemin shëndetësor. Drafti përcakton të gjitha rregullat e regjistrimit dhe pritet që së shpejti të shkojë për diskutim dhe të miratohet nga Këshilli i Ministrave. Në bazë të Nenit 36 për regjistrimin e punonjësve të shëndetësisë, regjistrimi i njeh të drejtën një individi të ushtrojë profesionin në një fushë shëndetësore specifike të përcaktuar në dokumentin që vërteton kualifikimet e çdo personi, përfshirë edhe vërtetimin e lëshuar pas regjistrimit. Sipas kësaj pike të projektligjit, çdo person që ka kryer studimet përkatëse në një fushë të mjekësisë dhe këtë e disponon me dokumente origjinale, ka të drejtë të regjistrohet dhe të lejohet të punojë. Kështu, regjistrimi i punonjësve të shëndetësisë është procesi i detyrueshëm nëpërmjet të cilit Ministria e Shëndetësisë dhe urdhri profesional përkatës i njeh të drejtën një individi të ushtrojë veprimtarinë e tij në një nga fushat specifike mjekësore të listës së profesioneve, miratuar nga ministri i Shëndetësisë.
Regjistrimi
Për të gjithë punonjësit e shëndetësisë, që kanë fituar një
kualifikim në një shtet anëtar të Bashkimit Europian ose shtete të tjera, janë përcaktuar disa kritere të veçanta për regjistrimin. Ministria e Shëndetësisë për këtë kategori punonjësish të shëndetësisë ka përcaktuar aktet ligjore dhe nënligjore duke zbatuar rigorozisht ligjet në fuqi. Procedura e regjistrimit të punonjësve të shëndetësisë përcaktohet nga ministri i Shëndetësisë.
Licencimi
Ministria e Shëndetësisë ka vendosur disa kritere për të ushtruar kontroll mbi subjektet që ushtrojnë aktivitet shëndetësor. Në këtë mënyrë janë licencuar vetëm ato subjekte që përmbushin kushtet profesionale, higjieno-sanitare, hapësirën e mjaftueshme të klinikës, kujdesin ndaj pacientit etj. Licencimi është procesi nëpërmjet të cilit një autoritet shtetëror i autorizuar i jep të
drejtën një subjekti fizik apo juridik të ushtrojë në mënyrë të pavarur aktivitetin në fushën e shëndetësisë. Procesi i licencimit siguron që një punonjës shëndetësie apo institucion shëndetësor plotëson kërkesat e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të popullatës. Licencimi është i detyrueshëm për të gjithë individët dhe institucionet që ofrojnë shërbime shëndetësore në Republikën e Shqipërisë. Licencimi i punonjësit shëndetësor kryhet nga një autoritet i autorizuar, ndërsa licencimi i institucionit shëndetësor jepet nga Ministria e Shëndetësisë.
Procedurat e aplikimit për licencë aktiviteti në fushën e kujdesit shëndetësor si dhe heqja e saj përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.
Mbikëqyrja
Përgjegjësitë e ministrit të Shëndetësisë janë të shumta dhe përfshihen në të gjithë sistemin shëndetësor të vendit, qoftë shtetëror apo privat. Të gjitha procedurat se si mund të mbikëqyret sistemi shëndetësor në vend janë pjesë e draftit të Ministrisë që do të diskutohet në Këshillin e Ministrave. Ministria e Shëndetësisë është përgjegjëse për mënyrën e menaxhimit të sistemit shëndetësor. Kështu, ministri i Shëndetësisë mund të delegojë një ose të gjithë funksionet te organizma ose persona ligjërisht të autorizuar. Ministri i Shëndetësisë mund të ngrejë komitete ose komisione që i konsideron të vlefshëm për të asistuar ministrinë në plotësimin e funksioneve të saj.
Mbikëqyrja e Institucioneve të Kujdesit Shëndetësor është procesi me të cilin Ministria e Shëndetësisë kontrollon zbatimin e normave dhe rregullave të organizimit dhe funksionimit të institucioneve shëndetësore. Institucionet shëndetësore dhe punonjësit e shëndetësisë, publik, privat apo formë tjetër
pronësie, janë të detyruar të pranojnë mbikëqyrjen nga Ministria e Shëndetësisë dhe këshillat administrave përkatëse. Mbikëqyrja e dhënësve të shërbimit bëhet në pajtim me dispozitat e ligjit shqiptar të kujdesit shëndetësor dhe akteve të tjera nënligjore.
Mbikëqyrja e institucioneve shëndetësore përfshin mbikëqyrjen e brendshme dhe mbikëqyrjen e jashtme apo inspektimin.
Mbikëqyrja e brendshme
Mbikëqyrjen e brendshme profesionale e organizon dhe drejton drejtori i institucionit, bazuar në rregulloren e institucionit dhe standardet e përcaktuara nga ministri i Shëndetësisë.
Objekt i mbikëqyrjes së institucionit janë aplikimi dhe zbatimi i ligjit dhe akteve nënligjore në veprimtarinë shëndetësore, mbikëqyrja e standardeve profesionale. Ndërsa mbikëqyrja e jashtme ose inspektimi i jashtëm administrativ dhe profesional i institucioneve shëndetësore kryhet nga Inspektorati Shëndetësor Shtetëror dhe Autoritetet Shëndetësore të Ministrisë së
Shëndetësisë përgjegjëse për komunën, bashkinë apo qarkun përkatës. Detyrat dhe përgjegjësitë e organeve mbikëqyrëse, si dhe mënyra e mbikëqyrjes, përcaktohen me ligjet përkatëse si dhe me akte të veçanta nënligjore të nxjerra nga ministri i Shëndetësisë.
Organizimi dhe funksionimi i Inspektoratit Shëndetësor Shtetëror, si organ administrativ i Ministrisë së Shëndetësisë, përcaktohet me ligj të veçantë.
Detyrat e pushtetit vendor
Njësitë e qeverisjes vendore, në përputhje me Ligjin Nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, janë përgjegjëse për krijimin dhe ruajtjen e një mjedisi sa më të shëndetshëm; për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e ambjenteve të shërbimit të kujdesit shëndetësor parësor në pronësi të tyre. Bashkitë dhe komunat ushtrojnë kontroll administrativ për rregullshmërinë e aktivitetit shëndetësor privat. Përveç detyrave dhe përgjegjsive të institucioneve, edhe qytetarët kanë të drejtat dhe detyrimet e tyre karshi shtetit. Shtetasit janë përgjegjës për ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit personal dhe kolektiv, për respektimin e të drejtës së tjetrit që është e lidhur me ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit, parandalimin e sëmundjeve si dhe me rehabilitimin pas tyre. Po kështu, ata janë të detyruar të shmangin që në hapësirat e institucioneve publike të mënyrave të sjelljes dhe të aktiviteteve, të cilat në bazë të të dhënave shkencore dihet mirë se janë të rrezikshme për shëndetin e të tjerëve. Ata kanë të drejtën e pjesëmarrjes në financimin e kujdesit shëndetësor sipas legjislacionit përkatës. Shtetasit janë përgjegjës për ofrimin e ndihmës brenda mundësive dhe njoftimin e ofruesit kompetent të shërbimeve shëndetësore në rast se zbulon një gjendje të urgjencës mjekësore ose në rast se ka dijeni për këtë.
Të drejtat e qytetarëve
Shtetasit gëzojnë të drejtë të përfitojnë kujdes shëndetësor në institucionet shëndetësore sipas legjislacionit në fuqi. Ata kanë të drejtën të informohen për mundësimin e rritjes së njohurive të tyre lidhur me ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit si dhe për të marrë vendime lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me shëndetin e tyre. Qytetarët gëzojnë të drejtën për t’u informuar nga ofruesit e shërbimeve shëndetësore lidhur me veçoritë e shërbimeve shëndetësore, mënyrën e përdorimit të tyre, mbi të drejtat e tyre si shtetas dhë pacientë si dhe mbi mënyrën se si ato mund të realizohen. Po kështu, gëzojnë të drejtën për të përdorur gjuhën e tyre ose atë të shenjave, si dhe të marrin pjesë aktive në pajtim me legjislacionin në fuqi në programimin dhe zbatimin e veprimtarive të kujdesit shëndetësor, veçanërisht në drejtim të respektimit të të drejtave të pacientit.
13 Mars 2008