E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta shpall prezantimin e programit të LSI-së, “Plani për veprim”



Kreu i LSI-së, Ilir Meta, shpalli turin e prezantimit të programit elektoral të quajtur “Plani për veprim”. Paraqitja e planit të LSI-së do të nisë nga dita e sotme nga qyteti i Fierit, dhe për të vazhduar me takime në të gjithë vendin deri në fund të këtij muaji në Konventën elektorale të LSI-së. Sipas Metës në themel të këtij plani të hartuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim qëndron punësimi. “Të gjitha politikat tona qeverisëse, zhvillimore dhe arsimore janë në funksion të punësimit, të krijimit të vendeve të reja të punës dhe sikurse e kemi bërë të ditur prej kohësh, Plani ynë për Veprim dhe programi ynë elektoral dhe qeverisës ka një synim tepër realist, por edhe ambicioz për hapjen e 100 mijë vendeve të reja të qëndrueshme të punës gjatë katër viteve të ardhshme. Punësimi është shtylla kryesore dhe objektivi kryesor mbi të cilin do të ndërtohet mirëqenia e qytetarëve shqiptarë dhe në radhë të parë e atyre që janë pa punë dhe e gjithë të tjerëve që sot përjetojnë pamundësinë në rritje për të shprehur aftësitë e tyre, talentin e tyre, njëkohësisht për të ndërtuar një të ardhme të sigurt për veten e tyre dhe familjen e tyre pikërisht këtu në Shqipëri”,- tha Meta. Kreu i LSI-së u shpreh se politikat qeverisëse, zhvillimore dhe arsimore të kësaj force në rast të fitimit të zgjedhjeve do të jenë në funksion të punësimit. Meta deklaroi se Plani për Veprim dhe programi elektoral dhe qeverisës i LSI-së ka si synim hapjen e 100 mijë vendeve të reja të qëndrueshme të punës gjatë katër viteve të ardhshme. Sipas tij programi i LSI-së është tërësisht social. “Shqipëria ka nevojë për një harmoni sociale për të pasur një paqe sociale dhe një stabilitet social dhe politik afatgjatë”,- theksoi kryetari i LSI-së. Ai u shpreh se programi dhe plani i LSI-së nuk është i mbështetur vetëm mbi një politikë shpenzimesh. Meta tha se plani në radhë të parë është i mbështetur në një politikë të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe për nxitjen e rritjes së prodhimit vendas. Kjo politikë sipas kreut të LSI-së përkthehet në rritje të qëndrueshme ekonomike për çdo qytetar të vendit tonë.

13 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›