E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karakteri agresiv sjell dëmtime të rënda të zemrës



Emanuela Sako
Karakteri agresiv tek një pjesë e madhe e njerëzve është cilësuar si një nga shkaktarët që sjell sëmundje të rëndë të zemrës.
Punimi është publikuar në “American Journal of Epidemiology” dhe objekt studimi ka qenë fakti se si ndikon agresiviteti në shfaqjen e sëmundjeve kardiake. Sipas studiuesve personat me personalitet “të egër” janë më të rrezikuar për të shfaqur sëmundje të zemrës dhe kjo shpjegohet me faktin që janë më në varësi të duhanit dhe alkoolit, “armiq të fuqishëm” të antioksidantëve. “Stresi oksidativ, shkaktohet nga radikalet e lira, të cilat prodhohen normalisht nga organizmi ynë”, shpjegon Tetsuya Ohira, i Universitetit të Minneapolisit. Nëse ulet aftësia e organizmit për t’u normalizuar, rritet rreziku për shfaqjen e sëmundjeve kardiake, tumoreve dhe sëmundjeve të tjera. Vitaminat mund të luftojnë stresin oksidativ, aty ku e rrisin duhani dhe ndotja urbane. Ekspertët kanë vërejtur 3.579 burra dhe gra, të moshës nga 18 deri 30 vjeç, pjesëmarrës në një studim të quajtur “zhvillimi i rrezikut kardiovaskular te të rinjtë”. Studiuesit kanë matur nivelet e karotenoideve të ndryshëm, që janë pigmentet me veti të forta antioksidante si p.sh vitamina E.
Pjesëmarrësit në studim që shfaqnin karakter agresiv në momentin e studimit, pas 7 vitesh i kishin nivelet e antioksidanteve më të ulëta se personat e tjerë që ishin të qetë. “Nëse agresiviteti ul nivelin e antioksidanteve, faktorë që përfshijnë stilin e jetës si dieta, duhani dhe alkooli kanë një rol mjaft të rëndësishëm”, shpjegon Ohira. Gjithsesi nevojiten studime të mëtejshme për të shpjeguar rolin e “karakterit” në sëmundjet kardiake si p.sh infraktin.
Studimet
Ndërsa dy studime të reja në fushën e sëmundjeve të zemrës tregojnë se vetëm ulja e nivelit të kolesterolës mund të mos jetë një hap i mjaftueshëm për parandalimin e një goditjeje në zemër. Shkencëtarët kanë vënë re se krahas nivelit të lartë të
kolesterolës, është edhe niveli i inflamacionit të artereve që shton rrezikun e goditjeve në zemër. ǒdo vit qindra mijëra nënshtetas amerikanë pësojnë goditje në zemër apo bllokim të
artereve koronare, pavarësisht nga niveli normal i kolesterolës. Dr. Steven Nisen, i klinikës së Klevelandit thotë se duke parë nivelet e kolesterolës si dhe nivelin e inflamacionit brenda artereve të pacientit u shpjeguan disa probleme. Gjithnjë e më shpesh po vihet re se kur arteret përbrenda janë të prekura apo të acaruara, kolesterola dhe pllakëzat e kane kanë më të lehtë për t’u grumbulluar përgjatë mureve të brendshme të artereve. Me kalimin e kohës inflamacioni ose ky acarim mund të bëjë që pllakëzat të pësojnë frakturë, duke bllokuar qarkullimin e gjakut, gjë që bëhet shkak për goditje në zemër. Doktor Paul Riker i spitalit “Brigham” thotë se të dhënat e reja tregojnë se ulja e shkallës së inflamacionit pakëson dukshëm rrezikun nga goditjet në zemër. Në studim u morën në shqyrtim pacientë që kishin pësuar goditje në zemër dhe që përpiqeshin të shmangnin një goditje të dytë. Gjatë studimit, niveli i kolesterolës bie dukshëm, ndërsa me uljen e nivelit të inflamacionit, rreziku ndaj goditjeve në zemër pakësohej me 50 përqind. Shkencëtarët thonë se niveli i inflamacionit të artereve mund të matet nëpërmjet një analize të thjeshtë gjaku. Niveli inflamacionit mund të ulet nëpërmjet ilaçeve si dhe nëpërmjet dietave, rënies nga pesha, ushtrimeve fizike dhe lënia e duhanit.

Studimi, sëmundjet e zemrës dhe funksionimi i dobët mendor
Një studim i veçantë me pjesëmarrje të gjerë të pacientëve dhe vetë personelit mjekësor, është bërë për të përcaktuar aktivitetin mendor tek të gjithë personat që vuajnë nga sëmundja e zemrës. Në studim kanë marrë pjesë më shumë se 10.000 të punësuar në shërbimin shtetëror në Londër dhe është përcjellë gjendja shëndetësore e tyre për një periudhë kohore njëzetvjeçare. Pjesëmarrësit, të cilët në anamnezën e tyre kanë pasur sëmundje të zemrës dhe enëve të gjakut kanë treguar rezultate shumë më të këqija në testet e vokabularit dhe kujtesës afatshkurtër. Në bazë të kësaj autorët e këtij studimi kanë ardhur në përfundim se shprehitë e këqija ushqyese, jo-aktiviteti trupor dhe pirja e duhanit, përveçse e dëmtojnë zemrën, ato e dëmtojnë edhe trurin.

Rëndësia e aktivitetit fizik
Është e rëndësishme për shëndetin tuaj që disa minuta në ditë t’ia kushtoni aktivitetit fizik. Kështu do të shmangni shumë probleme shëndetësore që kanë të bëjnë me zemrën, tensionin e gjakut, mbipeshën, etj. Aktiviteti fizik sjell edhe një formë të mirë fizike. Një studim i ri i botuar në numrin e fundit të Revistës së Shoqatës Mjekësore Amerikane, analizoi gjendjen shëndetësore të 4 mijë e 500 të rinjve të moshave 18-30 vjeç për 15 vjet radhazi. Gjendja shëndetësore u përcaktua nga përgjigjja e sistemit kardiak dhe atij të frymëmarrjes gjatë përdorimit të një aparature për stërvitje. “Një ndër përfundimet kryesore të studimit ishte se të rinjtë që nuk gëzonin shëndet të mirë me kalimin e kohës ndesheshin me një rrezik më të madh për t’u prekur nga sëmundja e zemrës. Ata që bënin një nivel të ulët ushtrimesh fizike kishin 3-6 herë më shumë gjasa të vuanin nga tensioni i lartë, diabeti dhe probleme të metabolizmit sesa ata që bënin ushtrime rregullisht. Ndërsa ata që bënin fare pak stërvitje fizike kishin 40 për qind më shumë shanse për nivele të larta kolesterine”. Dr. Carnethon është autore e studimit mbi rrezikun e problemeve koronare tek të rinjtë. Ajo thotë se pjesëmarrësit që përmirësuan gjendjen fizike gjatë studimit, ulën njëkohësisht rrezikun për t’u prekur nga sëmundjet e zemrës. Pra mesazhi është i qartë: Nuk është kurrë vonë të vish në formë të mirë fizike. Ata që filluan fizkulturën dhe që ruajtën gjendjen e mirë fizike kishin rrezik më të vogël për t’u prekur nga sëmundjet kardiovaskulare në moshë të mesme.

Si ndikon aktiviteti fizik në shëndet
Ndikon në punën e zemrës dhe sistemin kardiovaskular
Qarkullimi i gjakut ulet në organet e brendshme dhe rritet në muskujt, mushkëritë dhe zemër
Gjatë stërvitjes truri çliron më shumë norepinefrinë, që ndikon në gjendjen shpirtërore duke ulur depresionin nervor
Përmirëson qarkullimin e gjakut në zemër dhe veshka
Stërvitja në vetvete e rrit temperaturën e brendshme të trupit Duhet të pini lëngje për hidratuar trupin gjatë stërvitjes

7 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›