E Shtunë, 31 Tetor 2026

O popull, sa gjëra thuhen në emrin tënd!



Fadil LUSHI
Kjo thënie e aktorit të madh, Sandër Prosi, vërtet është shumë domethënëse edhe në kohën tonë. Ajo, sot e gjithë ditën, mund të gjejë strehë në përditshmërinë tonë politike, sociale, ekonomike edukative, arsimore, mediale, atdhetare dhe ku jo tjetër. Në emër të popullit dhe votës së tij ne “toptan” do të bëjmë politikë ditore; politikë që nuk shkon përtej avllisë sonë; politikë ballkanase që të mundëson pa djersë të bësh karrierë, lekë dhe, mbi të gjitha, nga një anonimus mediokër të bësh “emër dhe mbiemër”!? Krejt këtë do ta bëjmë në emër të “detyrimit tonë moral dhe material”, pse jo, edhe në emër të anamnezës totale të “miletit” nga njëra anë dhe shprehjes së zbrazëtisë sonë mendore nga ana tjetër. Të nderuar lexonjës! Në këtë shkrim nuk do të mëtoj të jem llafolog, nuk do të bëj përpjekje që me këtë opinion të “kërkoj të nxjerr nga ferra e vogël lepurin e madh…” dhe nuk do të pretendoj të jem “kryekalemxhiu” i letrave të shkruara gazetareske. Thjesht: do të llafos për do dukuri që hetohen në nënqiellin tonë. Këtë shkrim do ta bëj “në emër të popullit dhe në emër të mbrapshtisë sime”, respektivisht do të përsëris opinionet e mia ndaj defekteve që hetohen në arsimin sipëror privat dhe publik gjithandej ku frymohet shqip. Do të përsëritem për faktin se në vazhdimësi PËRSËRITEN DEFEKTE SERIOZE në kuadër të arsimit privat, qoftë ai i mesëm apo sipëror, që, kohë pas kohe, duron “torturat e reformave të porositura”, që i mungon renditja alfabetike i standardeve, që i mungojnë avantazhet krahasuese, që i mungojnë diplomat konkurruese... Kohë më parë rektori Universitetit të Vlorës, akademik Tanush Shaska, tok me Senatin vendosën që të sjellin një vendim qesharak, denigrues dhe idiotik karshi heqjes së emrit të universitetit, universitetit që bart emrin e Babait të Kombit Shqiptar - Ismail Qemalit, të Ismail Qemal bej Vlorës - birit të Mahmut bej Vlorës…, babait politik që asnjëherë nuk u kursye të punojë dhe veprojë për “nderin e një Shqipërie natyrale dhe tash londineze”. Të nderuarit Tanush Shaska askush nuk ia konteston të drejtën të jetë vlonjat, rektor dhe akademik, por ama gjithsecili prej nesh që kemi pak njohuri mbi retrospektivën kombëtare të Ismail Qemal bej Vlorës, gjithsesi se do ta kundërshtojë qëndrimin e tij, kur në emër të autoritetit të vet intelektual dhe të një justifikimi të paqëndrueshëm do të thotë: “Ismaili nuk na qenka akademik dhe se, në instancë të fundit ky emër na paskësh qenë vetëm një shprehje historike, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, ai do të arsyetohet me faktin se Universiteti i Vlorës me këtë emërtim nuk mund të degdiset në Europ딅 Më trishtuese është kur do të thotë se”… ka ardhur koha që ne të dalim jashtë mentalitetit ballkanas dhe patriotizmit të fjalëve”!! Sipas një logjike të tij, atëherë edhe amerikanët, të cilët kryeqytetit të tyre ia dhanë emrin e babait të kombit - Washington, do të duhet ta hjekin atë emër! Do të duhet hjekur edhe emrin e shenjtores Nëna Terezë, Abdylit, Naimit, Samiut, Nolit, Faikut e tjerë emra të figurave tona të ndritura. Nga i doli kjo ide rektorit Tanush në anashkalimin dhe shtrembërimin e një faqeje të historisë kombëtare? Një faqe që llafos të bëmat e mëdha të Ismail Qemal bej Vlorës, të njeriut që ka “… emrin e një atdhetari që gjithherë do të shërbejë si pasaportë e identitetit dhe autoritetit kombëtar…”, siç do të thoshte analisti Vranar Haxhiraj, njeriu që të vetmen pasuri materiale ka varrin e tij, një varr që i është lënë mëshirës së një “komunikimi vizual të vizitorëve”, njeriu që ishte i pari pas Skënderbeut, që vlonjatëve dhe gjithandej shqiptarëve ua shpalosi Flamurin dhe ua solli lirinë politike dhe mëvetësinë kombëtare... Opinionet e Tanushit i përngjajnë asaj kafshës së ujërave të ëmbla e të kripura – gaforres që mund të zvarritet bythëprapë. Ky hap i tij i pamatur, i gabuar do të duhet të ketë elemente të rrezikshme, të lë të dyshosh se ndoshta është një njeri që është i porositur (nga elemente destruktive) të veprojë kështu. Këtë propozim dhe vendim nuk do ta bënte as Thanasi grek, as shovinisti Andriq... Nëse këtë iniciativë rektori e ka përnime, ai fillimisht ka të drejtë t'ia ndërrojë emrin universitetit, jo në Universiteti i Vlorës, por në Universiteti i Ismail Qemal bej Vlorës ngase emri Ismail Q. bej Vlora, që nga viti 1944, është bastarduar nga ana e Enver Hoxhës. Me këtë propozim - vendim gjithsecili shqiptar do të ishte dakord. Rektori Tanush Shaska, senati dhe stafi akademik i Universitetit që e udhëheqin nuk duhet të kërkojnë gjymtimet e tyre në emrin e Babait të Kombit, përkundrazi, ata ato gjymtime duhet kërkuar në mesin e tyre, dhe për t'i hetuar ato, fillimisht institucioni duhet të bëjë vetëvaluim, mandej duhet të bëjë një analizë serioze të situatës së brendshme dhe në fund duhet të bëjë vlerësimin e standardeve në vijim:
a) vlerësimin e nivelit të procesit mësimor;
b) nivelit të përgatitjes profesionale të stafit akademik - të të gjitha niveleve;
c) programeve studimore;
ç) njohurive apo arritjeve të studentëve;
d) kompatibilitetit të plan programeve studimore me ato të shkollave fillore dhe të mesme;
dh) kritereve të pranimit të studentëve (nxënësve), dhe standarde tjera.
Nëse këto analiza dhe vlerësime të standardeve të lartpërmendura nuk i bën Senati, rektori dhe stafi akademik i Universitetit të Vlorës, atëherë ky institucion vetvetiu do të ballafaqohet me hallakatjen dhe rrëmujën e vet dhe gjithsesi kjo do t'i kontribuojë shkeljes mbi Kopertinën e Kartës së Bolonjës dhe, nëse shkelet kjo kopertinë, atëherë çfarë do të ishte theksi kuptimor i hises së tyre në kuadër të asaj Karte?
Kështu siç i shkojnë punët Universitetit të Vlorës dhe institucioneve private, në perspektivën e tyre do t’u ngelë i vetmi shpjegim, siç i ndodhte dikur Jake La Mottos kur thoshte: "Familja ime ishte e varfër sa çdo Vit të Ri im at dilte nga shtëpia dhe shtinte disa herë në ajër me pistoletë. Pastaj kthehej, dhe neve, fëmijëve, na thoshte se babagjyshi i Vitit të Ri nuk do ta vizitojë shtëpinë tonë, sepse kishte vrarë veten”. A mos vallë edhe në të ardhmen mungesa e provave do të “justifikohet” me vetëvrasjen e babagjyshit të Vitit të Ri apo, do të jetë rezultat i vetëvrasjes së “ndërgjegjes së pronarit që kushedi a ka edhe një shkollë të mesme të mbaruar”. Gojëkëqijtë apo “kundërshtarët” e këtyre institucioneve ato do t'i emërtojnë si universitete kioska, ku jep paratë dhe merr një copë letër, letër që vërteton dijen, gjysmëdijen apo padijen e kandidatit të posadiplomuar (kuptohet me përjashtime). Sikur sot Ismail Qemal bej Vlora të ishte gjallë, me siguri do t'i referohej shprehjes proverbiale latine: “Është e zorshme të jesh i lavdëruar, i nderuar dhe i lavdishëm në vendin tënd”.

7 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›