Bashkia shemb ndërtimet, banorët rezistencë bashkë me fëmijët
VLORE - Aksioni i bashkisë për prishjen e disa ndërtimeve, të cilat i pengojnë në realizimin e disa projekteve, si zgjerim dhe rehabilitim rrugësh, ka sjellë reagim të ashpër të banorëve të Vlorës. Shtesa banesash, mure rrethuese, kioska etj, janë në projektet e Policisë Ndërtimore të bashkisë, për t’i prishur në të gjithë qytetin. Por aksioni i ditës së hënë ka sjellë rezistencën e banorëve, të cilët tentuan të mos lejojnë fadromat në prishjen e këtyre ndërtimeve. Gjatë punimeve, në segmentin rrugor pranë shkollës së muzikës, Policia Bashkiake së bashku me atë të Rendit hasën në kundërshtimin e pronarëve, të cilët nuk i lejuan ata t’u prishen muret rrethuese, apo ndonjë shtesë objekti e cila zinte rrugën. Për të mos lejuar fadromat e Policisë Bashkiake për prishjen e këtyre objekteve, banorët vendosën në kovat e fadromave fëmijët që të parandalojnë sadopak prishjen. Nga përplasjet dhe kundërshtimet ndaj Policisë Bashkiake dhe të Rendit, u shoqëruan në komisariat dy prej protestuesve. Ata janë mbajtur në komisariat derisa shtesat të cilat pengojnë në zbatimin e projekteve të bashkisë u prishën. Mësohet se Policia Bashkiake ka marrë urdhër për ekzekutimin e të gjitha objekteve pa leje në zona ku Bashkia e Vlorës po ndërhyn për të rregulluar rrugët si dhe shumë lagje të qytetit. Në lagjen “24 maji”, tri javë më parë janë shembur po nga Policia Bashkiake rreth 25 ndërtime, të cilat pengonin punimet për sistemimin e kësaj lagjeje. Ardi Veliu, shef i Policisë Bashkiake të Vlorës u shpreh se nuk do të lejojmë asnjë objekt pa leje që të pengojë investimet e bashkisë për sistemimin dhe asfaltimin e lagjeve. “Ne do të shembim të gjitha ato objekte që pengojnë zhvillimin e qytetit të Vlorës”, u shpreh ai. q.b