E Shtunë, 31 Tetor 2026

KRRTRSH miraton projektet për energjinë



nertila maho

Energjia dhe turizmi ishin dy fushat që dominuan dje vendimet e marra nga Këshilli i Rregullimit të Territorit. Kryeministri Berisha, i cili drejtoi këtë mbledhje, i vlerësoi projektet e miratuara të një rëndësie të veçantë, siç ishin ato që lidheshin me ndërtimin e parqeve eolikë( energji e prodhuar nga era). Më i diskutuari në këtë aspekt ishte ai që lidhej me projektimin dhe masterplanin e Parkut Energjetik dhe Eolik në Kryevidh, të qarkut Tiranë. Kreu i Qeverisë kërkoi të garantohet që ndotja akustike të mos jetë problem. “Kjo zonë është e përshtatshme për park eolik, por duke theksuar këtë në mënyrë absolute do të jepni garanci totale për zero ndotje akustike në zonën turistike. Duhet të jemi të hapur se në atë territor përparësi ka turizmi, sepse ndodhen disa nga zonat më të bukura turistike dhe distanca e turbinave duhet të jetë e tillë nga zona turistike që të mos ketë ndotje akustike”, theksoi Berisha. Gjatë mbledhjes në vijim u diskutua edhe për studimin urbanistik dhe sheshin e ndërtimit për hidrocentralet “Bele1”, “Bele2”, “Orgjost i ri”, “Topojan 1”, “Topojan 2”, në komunat Zapod dhe Topojan, qarku Kukës. Duke qenë se ndërtimi i këtyre hidrocentraleve mund të bjerë ndesh me atë që do ndërtojë Kosova, hidrocentralin e Zhurit, Kryeministri informoi mbi ngritjen e një grupi ndërqeveritar. “Ka përrenj që vijnë nga Kosova në territorin e Shqipërisë. Ka një problem me HEC-in e Zhurit, sepse pala kosovare do ndërtojë këtë hidrocentral dhe një grup specialistësh të të dyja qeverive do fillojë të bëjë studimin. Natyrisht, rregullat ndërkombëtare do të respektohen për ndarjen e ujërave ndërkufitare, por për bazë do të merret interesi kombëtar”, tha Berisha. Një pikë tjetër ku Kryeministri qëndroi gjatë në diskutim ishte ajo që lidhet me projektimin e planit rregullues të zonës turistike të Vilbashtovës. “Në këtë zonë është një nga projektet më të mëdha dhe më të bukura turistike të mbarë bregut shqiptar. Ky projekt është një ndër më të mëdhatë ndër projektet turistike në vend, që parashikon një investim prej 1.2 miliardë euro dhe i rikthen Vilëbashtovës të gjitha vlerat e mëdha që kjo zonë mahnitëse ka në diversitetin e saj”, u shpreh Kryeministri. Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, lidhur me këtë projekt kërkoi që të bëhet një studim i thelluar për ndikimin në mjedis, duke e lidhur këtë me zonën e Divjakës. Një tjetër çështje e rëndësishme që lidhej me turizmin ishte ajo për projektimin e masterplanit të zonës turistike Pogradec-Drilon. Sekretaria Teknike e KRRTRSH-së kishte propozuar që të bëhej një përpjekje për të koordinuar zhvillimin e kësaj zone me Pogradecin dhe Hudënishtin. “Nuk mund ta trajtojmë bregun e liqenit si copëza të shkëputura. Të kërkohet të ketë një lloj harmonizimi nga pika ku fillojnë ujërat tona e deri ku mbarojnë”, u shpreh Edmond Haxhinasto. KRRTRSH-ja mbylli mbledhjen e djeshme me vetëm nëntë pika të diskutuara nga 13 të planifikuara, të cilat u lanë për t’u diskutuar në mbledhjen e ardhshme.

Debatet në mbledhjen e KRRTRSH-së

- “Parku eolik KAPPET”, komuna çerravë, Vreshtas, Qendër Bilisht, qarku Korçë.
Sekretaria Teknike: Duhet miratimi i Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë dhe Këshillit Kombëtar të Restaurimeve.
-Parkut Eolik në Kryevidh, qarku Tiranë.
Sekretaria Teknike: Duhet të ketë një vendosje simetrike të gjeneratorëve, duke pasur parasysh që janë në një zonë turistike.
Berisha: Në atë territor përparësi ka turizmi dhe distanca e turbinave duhet të jetë e tillë nga zona turistike që të ketë zero zhurmë.
Basha: Gjeneratorët janë në mbivendosje me zonën e banuar dhe duhet të merret miratimi nga komuna dhe banorët.
-Hidrocentralet “Bele1”, “Bele2”, “Orgjost i ri”, “Topojan 1”, “Topojan 2”
Berisha: Ka një problem me HEC-in e Zhurit, sepse pala kosovare do ndërtojë këtë HEC dhe një grup specialistësh të të dyja qeverive do fillojë të bëjnë studimin. Natyrisht, rregullat ndërkombëtare do të respektohen, por për bazë do të merret interesi kombëtar.
-Hidrocentralin “Peshk”, Martanesh.
Ky hidrocentral do të ketë një fuqi të instaluar prej 3.4 megavat dhe prodhim prej 18 milionë kilovat/orë energji në vit. Sekretaria Teknike: Të kihet kujdes për survejimin arkeologjik të zonës.
- Ndryshim i projektit të fabrikës së çimentos COLACEM,
Sekretaria Teknike: E kemi miratuar këtë ndryshim që është bërë, duke pasur parasysh dhe ndryshimet që bëhen në strukturën inxhinierike të gjithë zonës.
-Shesh ndërtimi për hidrocentralin e Sasajt, në komunën Lukovë.
Hidrocentrali i Sasajt parashikon ndërtimin e një tuneli 2.35 kilometra dhe një kapacitet prodhues prej 38 milionë kilovat/orë energji në vit.
Berisha: Miratohet, por duhet të bëhet marrja e lejes mjedisore dhe që të sillni projektin e ndërtesës, që duhet të jetë e estetike nga ana arkitektonike.
-Studim depozita bregdetare, terminal karburantesh, fshati Rinia, Porto Romano. Projekti ka një vlerë investimi prej 10 milionë euro.
Sekretaria Teknik: E miraton me kusht që për sa i takon rrjetit të ujërave të përdorura. Pasi janë edhe ujërat teknologjike që vijnë nga përzierja me karburantet, por gjithashtu edhe ato të përdorura, që duhet të jenë pjesë e masterplanit të rrjetit inxhinierik të të gjithë parkut.
Berisha: Sqarimi është që duhet të blihet impianti dhe t’i nxjerrë ujërat në cilësinë e ujit të pijshëm.
-Projekti i Vilbashtovës
Sekretaria Teknike: Të miratohet duke vendosur si vërejtje që studimi të plotësohet me deklaratën mjedisore dhe studimet urbanistike të kalojnë për miratim, pas zbardhjes së vendimit të KRRTRSH-së.
Berisha: Ky projekt është një ndër më të mëdhatë ndër projektet turistike në vend, që parashikon një investim prej 1.2 miliardë euro dhe i rikthen Vilëbashtovës të gjitha vlerat e mëdha që kjo zonë mahnitëse ka në diversitetin e saj.
Mediu: Zoti Kryeministër, duke e vlerësuar projektin si shumë të rëndësishëm dhe meqë është në një zonë goxha delikate, duhet të bëhet një vlerësim i thelluar për ndikimin në mjedis, sepse lidhet edhe me zonën e Divjakës.
-Detyrë e projektimit për masterplanin e zonës turistike Pogradec-Drilon.
Sekretaria Teknike: Bëni përpjekje për të koordinuar zhvillimin e kësaj zone me Pogradecin dhe Hudënishtin, sepse nuk mund ta trajtojmë bregun e liqenit si copëza të shkëputura.
Haxhinasto: Të kihet parasysh që zhvillimi të jetë në parametra me gjithë zhvillimet turistike dhe me marrëveshjet për Liqenin e Ohrit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›