Holanda eliminon Uruguain, hera e tretë në finale
Leonard Karaj
Holanda ka mundur bindshëm Uruguajin duke kaluar për herë të tretë në historinë e vet pas 1974-ës dhe 1978-ës, në finalen e një kampionati botëror.
Nga një skuadër që thuajse nuk kuotohej fare për të qenë sot aty ku është, në majën e botës, Holanda ka thyer çdo parashikim, duke treguar një futboll krejt tjetër nga sa ishim mësuar që ta shikonim skuadër: një lojë racionale, po aq në mbrojtje, sa edhe në sulm. Ndonëse nuk kanë munguar kritikat e shumta për filozofinë e trajnerit Bert Van Marvjik në mënyrën e trajnimit të kësaj skuadre, vlen të theksohet se “tulipanët” kanë arritur në finale dhe sot presin me qetësi kundërshtarin e tyre, i cili do të dalë nga sfida e mbrëmjes Gjermani-Spanjë. Pësra i përket ndeshjes, katër fantastikët, Shnajder-Roben-Van der Vart-Kajt rezultuan edhe një herë të frikshëm edhe pse përballë kishin një skuadër relativisht më të dobët sesa Brazili, që e eliminuan në çerekfinale. Seria e golave u hap nga kapiteni Van Bronkhorst, i cili shënoi një nga golat më të bukur të këtij Botërori. Gjuajtja e tij nga më shumë se 30 metra në krahun e majtë të sulmit “portokalli” u ngjit në cepin më të largët të portës së Muslerës, aty ku bashkohen traversa dhe shtylla. Goli u dha një farë sigurie holandezëve, por shtoi nga ana tjetër dëshrinën e uruguaianëve për të rrezikuar më shumë. Kështu, pas një gjuajtje nga 25 metra, Diego Forlan, i ndihmuar edhe nga një gafë e portierit Stekelenburg arriti të barazojë. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, por në fraksionin e dytë të lojës me futjen edhe të Rafael van der Vart, Holanda shtoi sulmet duke arritur të shënojë edhe dy herë të tjera me anë të Uesli Shnajderit dhe Arjen Robenit. Madje “portokallinjtë” mund të kishin shënuar më shumë gola, nëse Roben dhe Van der Vart nuk do të kishin shpërdoruar dy raste të pastra para portës së Muslerës. Edhe pas kësaj humbjeje, Botërori i Uruguait nuk ka përfunduar ende, pasi kjo skudër do të luajë të shtunën, në datë 10 korrik, ndaj humbëses në çiftin e mbrëmjes së sotme për vendin e tretë dhe të katërt.
Uruguaj-Holandë 2-3
Shënues: Forlan 41', M.Pereira 90+2'/ Van Bronkhorst 18', Shnajder 71', Roben 73'
Kartonë të verdhë: M.Pereira 21', Kaseres 30'/ Shnajder 30', Bularuz 78', Van Bomel 90+4'
Gjyqtar: Rashman Irmatov (UZB)
Uruguaj: Muslera, Godin, Gargano, Viktorino, Kavani, Forlan (Fernandez 84'), A.Pereira (Abreu 78'), Perez, M.Pereira, Arevalo, Kaseres. Trajner: Oskar Tabaresh
Holanda: Stekelenburg, Heitinga, Matijsen, Van Bronkhorst, Van Bomel, Kajt, Van Persi, Shnajder, Roben (Elia 89'), Bulahruz, De Zeu (Van der Vart 46'). Trajner: Bert van Marvijk
Uesli Shnajder
Sërish ai. Uesli Shnajder është përzgjedhur nga FIFA si protagonisti nr.1 edhe për ndeshjen e mbrëmjes së djeshme Uruguai-Holandë. Mesfushori fanatzist i “portokallinjve” shënoi golin e dytë të Holandës si dhe mori pjesë edhe në golin e tretë të shënuar nga Roben. Kjo është hera e katërt në gjashtë ndeshje të Holandës që Shnajder përzgjidhet si “njeriu i ndeshjes”, çka tregon për formën e shkëlqyer që po kalon ky futbollist, kandidat nr.1 edhe për çmimin “Futbollisti më i mirë i Botërorit” si dhe për “Topin e Artë” 2010.