Oktapodi parashikon: Spanjollët, në finale
Spanja do të jetë finalistja e dytë e Botërorit “Afrikë e Jugut 2010”. Konstatimi vjen nga oktapodi gjerman Poli, që ka çuditur të gjithë me parashikimet tepër të sakta për të gjitha ndeshjet ku luante Gjermania në këtë Kupe Bote. Por parashikimi i radhës i tij ka zemëruar jo pak vendësit, ata që kujdesen ditë-natë për të, tifozët gjermanë. Ata ndihen të tradhtuar aq sa kanë mbushur menjëherë forumet në uebfaqet gjermane, por jo vetëm. Ndërkohë nga ana tjetër fansat e Spanjës, por edhe ata që nuk mbështesin skuadrën e Del Boskes, por që kanë “kunj” me gjermanët (anglezët, italianët, francezët) kanë dalë në përkrahje të Polit, duke festuar ndoshta parakohe kalimin e Spanjës në finale. Oktapodi parashikoi humbjen e Gjermanisë me Serbinë, fitoren me Anglinë dhe më pas me Argjentinën. Por parashikimi i fundit i tij shokoi tifozët gjermanë, të cilët u lumturuan në fillim kur panë se oktapodi po shkonte në drejtim të kutisë së qelqtë me flamurin e Gjermanisë, por pasi “u mendua” për disa çaste, Poli ndërroi drejtim, duke zgjedhur kutinë e qelqtë me flamurin e Spanjës. Madje në ndryshim nga hera e parë kur zgjodhi Serbinë (midhjen që mori në kuti e hëngri me shumë mundim, duke treguar se humbja e gjermanëve do ishte e mundimshme), këtë herë oktapodi nuk pati problem në ngrënien e midhjes brenda kutisë me flamurin e Spanjës.