Hamallaj, banorët akuzë për gjenocid Gjergj Bojaxhiut
DURRES/ OERD ULQINI
Banorët e Hamallajt denoncojnë për gjenocid kreun e Inspektoratit Ndërtimor, Gjergj Bojaxhi. Bashkë me efektivët e Policisë së Shtetit dhe të Ndërtimores, ata depozituan dje në prokurori padinë, duke deklaruar se kanë shkelur plot 15 nene të Kodit Penal në veprimet e tyre karshi banorëve të Hamallaj-Hidrovorit.
Një përfaqësi e 2 500 banorëve të fshatrave buzë bregdetit kanë depozituar kallëzimin penal ndaj Gjergji Bojaxhiut, Inspektoratit të Ndërtimit dhe Policisë së Shtetit në Prokurorinë e Durrësit, ndonëse kanë përmendur se për këtë vihen në dijeni krerët e shtetit. Ka qenë ora 10 e paradites, kur pesë banorët e Hamallajt, mes të cilëve edhe një ish-deputet, kanë trokitur në Prokurorinë e Durrësit. Parlamentari demokrat i viteve ‘92-’97, Simon Puta, është prononcuar për mediat në një konferencë të improvizuar për shtyp, në të cilën ai ka akuzuar segmente shtetërore për ushtrim dhune ndaj civilëve. Sipas banorëve, Bojaxhi po shkel ligjet pasi më shumë se 95% e shtëpive në Hamallaj dhe Hidrovor janë ndërtuar përpara vitit 2007. Përfaqësia e Hamallajt pretendon se janë shkelur nga policia dhe Inspektorati i Ndërtimit 15 nene të Kodit Penal, duke filluar nga gjenocidi, te krimi kundër njerëzit, urrejtja raciale e deri tek dhunimi i banesës. Pasi kanë dorëzuar padinë penale, ata kanë mbajtur një konferencë për shtyp në Pallatin e Kulturës. Pesë personat janë paraqitur para gazetarëve të Durrësit, duke deklaruar se “në datën 1 korrik, në fshatin Hidrovor të Hamallajt ka ndodhur një ngjarje tepër e rëndë, që politika po përpiqet që ta minimizojë”. Sipas dëshmisë së banorëve, mbi 400 forca policie të pajisura me mjetet përkatëse, me makina e fadroma pas tyre, kanë sulmuar me ashpërsi banorët e këtij fshati. “Hidrovori u gjakos. Nuk u kursyen as invalidët dhe të miturit. Popullsia u dhunua. Ka disa raste të plagosurish. Njëri prej tyre është akoma në spital”, u tha në deklaratë. “Heshtja zyrtare ndaj këtij sulmi është trishtuese, ndërsa kërcënimi e terrori që vijnë çdo ditë nga disa segmente të shtetit ndaj nesh janë ogurzeza. Ka kaluar një javë e asnjëri deputet prej Durrësit nuk erdhi të pyesë duke na lënë në mëshirën e fatit. Shohim të dënohet viktima e jo agresori. Përveç të plagosurve kemi të burgosur, disa të padënuar akoma, e të tjerë të dënuar, fletë arrestet janë bërë gati e të tjera arrestime priten. Në Hidrovor ka pllakosur pasiguria”, thuhet më tej në deklaratën e përbashkët. Sipas banorëve, natë e ditë, gra, burra, fëmijë e pleq rrinë roje, nga frika se do t’u shemben banesat dhe do t’i vrasin.
“Gjergj Bojaxhi deklaron se nuk do të prishen shtëpitë në proces legalizimi e në të vërtetë i ka prishur. Ai thotë se banorët në proces legalizimi të mos shqetësohen e nga ana tjetër vetëm në një ditë ka dërguar 150 fletë prishje shtëpish që janë në proces legalizimi. Pra kujt duhet t’i besojë populli? Deklaratave për mosprishje apo fadromave që vijnë të shoqëruara me qindra policë që na dhunojnë e na gjakosin?!. Kush na mbron neve, kur nuk na mbron ligji? Revoltën e Hidrovorit zotërinj pushtetarë mos e merrni si kundërvënie ndaj ligjit, por si luftë për ekzistencë kundër padrejtësive që vijnë nga moszbatimi i ligjit”, vijon deklarata. Kallëzimi i tyre është përcjellë më vonë në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila do të vendosë për nisjen e hetimit për të denoncuarit. Në të përmendet fakti se të gjitha objektet janë në proces legalizimi dhe veprimi i Inspektoratit Ndërtimor kryhet kur ende nuk është vendosur nga ALUIZNI.
Akuzat ndaj Bojaxhiut:
1-Po kryen gjenocid, pasi synon të shfarosë banorët e zonës e të na dëbojë për shkak të prejardhjes veriore, neni 73
2-Po kryen krim kundër njerëzimit, sipas nenit 74, duke përdorur deri dhe gaz lotsjellës mbi fëmijët dhe gratë.
3-Po shkatërron pronat tona, dhe kjo është vepër sipas nenit 150 të Kodit Penal.
4-Ka hyrë me të padrejtë në banesat tona dhe ka dërguar të tjerë për të hyrë në banesat tona, duke na goditur dhe dhunuar banesën, neni 112
5-Këta persona me ndërhyrjet e tyre kanë shkaktuar dëme të mëdha
materiale, neni 154/3 dhe 154/4 i Kodit Penal
6-Duke shfrytëzuar postin që i është dhënë, ky person ka shpërdoruar detyrën sipas nenit 248
7-Ky person na ka fyer publikisht, në intervistat e dhëna prej tij në media, neni 119
8-Ky person ka shpifur duke thënë që banesat tona janë lokale dhe hotele, duke konsumuar veprën sipas nenit 120
9-Banesat tona janë shtëpi banimi dhe jo lokale. Ky persona kryen veprime arbitrare sipas nenit 250 të Kodit Penal.
10-Ky person ka shkelur paprekshmërinë e banesave tona, duke konsumuar veprën sipas nenit 254 të Kodit Penal.
11-Ne kemi të drejtë të grumbullohemi paqësisht, në funksion të një ideje, kauze, apo realizimit të një të drejte. Bojaxhi dëshiron të na e heqë këtë të drejtë, neni 261
12-Gjergj Bojaxhiu po nxit urrejtjen raciale, në intervistat televizive, për arsye të prejardhjes sonë veriore, nenet 265, 266
13-Prishja e qetësisë së banorëve, vepër e konsumuar sipas nenit 274