Khedira, në dyshim, Torres ulet në stol
Leonard Karaj
Rikthehet finalja e EURO 2008. Gjermanët kanë rastin më të mirë për t’u hakmarrë ashtu sikundër spanjollët, për t’u rikonfirmuar si Kampionët e vërtetë të Europës.
Nën këtë sigël, por edhe në ndryshimet rrënjësore (sidomos Gjermania) do të luhet sonte gjysmëfinalja e dytë e këtij Botërori. Që të dyja skuadrat kanë thuajse të njëjtën vijimësi në këtë kampionat, me ndryshime vetëm në totalin e golave. Nëse Spanja njohu shijen e humbjes minimale që në ndeshjen e parë në grup (0-1 ndaj Zvicrës), Gjermania “shkau” këmbën në ndeshjen e dytë në grup ndaj Serbisë po me të njëjtën rezultat 0-1. Ndërsa në takimet e tjera “panzerave”u është dashur të ndeshen me ekipe më të forta, të paktën në teori, duke treguar një nivel të lartë loje, paçka parashikimeve të fillimkampionatit, që nuk shihnin këtë ekip as deri në çerekfinale. Fitorja ndaj Anglisë dhe Argjentinës ka rritur mjaft kuotat e Gjermanisë, e cila shihet disi më favorite sesa Spanja e Del Boskes, e cila ka pasur një kalendar disi më të lehtë (Paraguai dhe Portugali). Gjykon hungarezi Viktor Kasai, një emër pak i njohur në arenën ndërkombëtare, por që në tri ndeshjet që ka arbitruar në këtë Botaror ka treguar një nivel të lartë gjykimi.
GJERMANIA - Joakim Lëv nuk do të ketë në dispozicion për ndeshjen e sotme Tomas Mylerin, i cili është i pezulluar për shkak të kartonëve. Në vend të tij do të luajë Toni Kros. Ndërkohë edhe braziliani i natyralizuar në gjerman, Kakau, është në dyshim të madh, paçka se ai do të jetë në pankinën e skuadrës. Sulmuesi ka vuajtur së fundmi një dëmtim muskulor, ndaj konsiderohet se nuk është në gjendjen e tij optimale. Shqetësime ka pasur edhe për mesfushorin Sami Khedira, i cili ka pësuar një dëmtim të lehtë në kofshë dhe nuk është stërvitur rregullisht me skuadrën. Gjithsesi, sipas informacioneve të orëve të fundit nga kampi gjerman, ai do të jetë titullar edhe ndaj Spanjës, edhe pse do t’i duhet të shtrëngojë dhëmbët.
SPANJA – Qendërmbrojtësi Raul Albiol vazhdon të jetë i dëmtuar dhe do të mungojë edhe ndaj Gjermanisë. Por ajo që shqetëson më shumë trajnerin Visente del Boske është fakti që çesk Fabregas nuk do të jetë në dispozicion për këtë takim. Mesfushori fantazist i Arsenalit vuan nga një dëmtim në pulpë që prej prillit të këtij viti dhe dje iu rishfaq, duke mos i dhënë mundësi që të luajë në gjysmëfinale ndaj Gjermanisë. Veç kësaj, Del Boske ka bërë një ndryshim në sulm, duke lënë si fillim në pankinë Fernando Torresin, i cili nuk ka bindur në ndeshjet e këtij Botërori, duke hedhur në fushë nga minuta e parë sulmuesin më të ri të Mançester Sitit, David Silvën. Për gjermanët në pamje të parë duket si një “dhuratë”, kur kujtojnë se finalen e EURO 2008-ës e humbën pikërisht prej golit të Torresititit.
Formacionet e mundshme
Gjermania (4-2-3-1): Nojer, Lahm, Friedrish, Mertesaker, Boateng; Khedira, Shvainstaiger; Kros, Ozil, Podolski; Klose. Trajner: Joakim Lëv
Spanja (4-2-3-1): Kasijas, Ramos, Pike, Pujol, Kapdevila; Buskets, Alonso; Iniesta, Ksavi, D.Silva; D.Vila. Trajner: Visente del Boske