E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luçi, shefi i zbulimit shqiptar: Dy atentatet e vërteta për vrasjen e Enver Hoxhës



Shërbimet e huaja kanë tentuar herë pas here të likuidojnë Enver Hoxhën. Në axhendën e tyre nuk kanë munguar as atentatet ndaj tij. Gjatë një rrëfimi në emisionin “Opinion” të gazetarit të njohur Bledi Fevziu, ish kreu i shërbimit të zbulimit Hasan Luçi, zbardh dy nga tentativat e dështuara të agjenturave perëndimore për të vrarë diktatorin komunist. Rasti i parë, kujton kryezbulusi, i përket Abdyl Banushit, agjentit që tentoi të qëllonte Enver Hoxhën në tribunën e paradës nga pallatet e Shallvareve. Sakaq, duke ju kthyer historisë së njohur të bandës së Xhevdet Mustafës, hedh dritë në mjaft nga detajet e lojës së shërbimit të fshehtë me njerëzit e saj. Luçi e quan të pavërtetë pretendimin e lidershipit komunist sipas të cilit banda ishte thirrur me porosi të Kadri Hazbiut për të zhdukur udhëheqësin e partisë. Duke u ndalur në aspekte të tjera të sektorit të tij, ish kreu i zbulimit veçon disa nga operacionet kryesore të shërbimit të fshehtë shqiptar. “Deri në vitet 70, pohon ai, jashtë shtetit operonin rreth 100 zbulues, por më vonë kjo shifër filloi të reduktohej”. Interesante në rrëfimin e Luçit janë kujtimet për mënyrën si ndiqej ish mbreti Zog dhe disa nga personalitetet e larta të mërgatës politike...

Zoti Hasan! Për një kohë të gjatë, nga vitet 60 e deri në mesin e viteve 80, keni kryer detyra të rëndësishme në shërbimin e zbulimit jashtë kufijve të Shqipërisë. Kur nis karriera juaj në këtë shërbim?
Pasi mbarova fakultetin e zbulimit në Moskë, bëra një program shumë të ngjeshur, i cili ishte planifikuar për tre vjet dhe unë e bëra për dy vjet, u ktheva në Shqipëri dhe fillova nga puna në qendër.
çfarë mësuat në Moskë?
Teorinë dhe praktikën e zbulimit si dhe teknikat dhe taktikën e shërbimit. Aty u plotësova me të gjitha cilësitë për të qenë zbulues.
Ju keni bërë shkollën në BS në kohën e marrëdhënieve të shëndosha midis dy vendeve tona. Po pas divorcit a e ndjenit rrezikun e zbulimit nga KGB-ja?
Në fakt KGB-ja na përgatiti nga ana profesionale. Në atë kohë ishim vëllezër. Luftonim e punonim për të njëjtat ideale, për të njëjtën çështje. Kur u prishën marrëdhëniet pasoi një situatë tjetër. Përsëri nuk duhej të largoheshim nga shërbimi. Kishte mjaft mënyra për mos tu zbuluar nga KGB-ja. Kur unë vazhdoja shkollën aty, nuk isha me identitetin tim, por me një emër tjetër...
Ju keni mbaruar në vitin 60 studimet në Moskë...
Jo, kam mbaruar në vitin 58
Kur erdhët nga studimet u futët në shërbimin e zbulimit?
Në shërbimin e zbulimit isha futur qysh në vitin 55. Pra, para se të shkoja në BS. Kur u ktheva nga Moska nisa punë në qendër në Tiranë. Pastaj shkova sekretar i Tretë në Ambasadën tonë në Paris...
Cili ishte objekti i zbulimit në atë kohë?
Të zbulonte çdo veprimtari që dëmtonte interesat e shtetit shqiptar.
Po objekti?
Objekti i ndjekjes ishin shtetet apo njerëzit, institucionet apo organizmat e ndryshme që vepronin kundër Shqipërisë, që dëmtonin interesat e shtetit dhe të popullit shqiptar...
çfarë ndiqej konkretisht...
Në radhë të parë kishim për objekt vendet fqinj, pastaj zonat e largëta, NATO-në, SHBA-në dhe vendet e tjera të përfshira në Aleancën e Atlantikut të cilat vepronin kundër Shqipërisë.
Po mërgatën?
Mërgata ishte një nga objektet e zbulimit. Në radhët e saj kishte kontingjente të diversionit që vepronin vazhdimisht.
Po kundërzbulimi çfarë roli kishte?
Kundërzbulimi kishte tjetër mision. Aktualisht ka një konfuzion të madh për raportet e zbulimit dhe kundërzbulimit. Madje shumë herë i njësojnë me njëri- tjetrin si shërbim i njëjtë. Duhet theksuar se këtu kemi të bëjmë me dy gjëra të ndara. Zbulimi e ka objektin e misionit të tij jashtë shtetit. Kundërzbulimi vepron brenda territorit shtetëror. Kuptohet që mes tyre ka bashkëpunim e bashkëveprim, ka gjithashtu operacione të përbashkëta, por sidoqoftë mbeten dy shërbime të ndryshme.
Zbulimi shqiptar fillimisht ka pasur bashkëpunim me atë jugosllav e më vonë me shërbimin e BS. A u shoqërua me pasoja periudha e prishjes së marrëdhënieve me to?
Në vitet 47-48 kur u prishëm me jugosllavët, ata shkatërruan agjenturën tonë jashtë shtetit, pasi ishin në dijeni të shifrës së komunikimit. Një situatë e tillë ndodhi edhe pas prishjes me rusët. Agjentët rus e jugosllav bënë herë pas here provokacione e përplasje të ndryshme. Pas shkëputjes me KGB-në platformën e shërbimit tonë e përshtatëm sipas modeleve perëndimore, duke marrë përvojë nga shërbimi amerikan, zbulimi izraelit etj.
Sa ishte numri i zbuluesve shqiptar që operonin jashtë shtetit?
E vërteta është që nuk ka pasur ndonjë numër ekzakt. Aty nga vitet 70 bëheshin 100 zbulues që vepronin jashtë. Më pas dalëngadalë kjo shifër filloi të reduktohej...
Po numri i bashkëpunëtorëve?
Numri i tyre ishte në vartësi të situatave. Në rastin e situatave dhe krizave të rënda siç ishte çështja e raporteve me Berlinin apo vetëvrasja e papritur e Mehmet Shehut, lindte nevoja për shtimin e bashkëpunëtorëve.
Bashkëpunëtorë ishin vetëm shqiptar apo kishte dhe të huaj?
Padyshim që pjesa më e madhe e tyre ishin shqiptar, por kishte dhe të huaj, sepse Shqipëria ka pasur miq dhe miq të vërtetë. Ata na e ofronin me dashamirësi informacione, sepse e donin vendin tonë, pavarësisht çfarë ishin priftërinj, gazetar etj.
Paguheshin bashkëpunëtorët?
Shërbimi ynë ishte vetëm mbi baza vullnetare. Rrallë kanë qenë ato raste kur kemi dhënë ndonjë shpërblim, krejt modest.
Po me metoda shtrënguese rekrutonit bashkëpunëtorë?
Me pagesë dhe me metoda shtrënguese kemi rekrutuar shumë pak bashkëpunëtorë.
A kishte Shqipëria agjent në nivele të larta në vendet perëndimore?
Ka pasur koka.
Në çfarë kuptimi?
Në kuptimin që nëse nuk kemi pasur kryeministra e qeveritar, kemi pasur deputet e personalitete publike me peshë të vendeve të ndryshme.
Gjatë viteve të fundit është folur se Mitat Frashëri është helmuar në vitin 49 në SHBA nga shërbimi i fshehtë shqiptar. A është e vërtetë?
Një pohim i tillë nuk është i vërtetë. Ne kishin porosi të prerë që mos të lejonim në asnjë mënyrë akte terrori. Një veprim i kësaj natyre do të ishte marrëzi për shërbimin tonë.
Pra ju thoni se shërbimi i fshehtë nuk ka zhdukur njeri në Perëndim?
E vërteta është se ka pasur propozime të tilla, sidomos për diversant të ndryshëm, por në asnjë rast nuk janë miratuar. Lidhur me ndjekjen e tyre kishim si objektiv asgjësimin pas kurthit në Shqipëri.
Shërbimi i zbulimit ka ndjekur mbretin Zog. Ja çonit informacionet për Enver Hoxhën?
çdo informacion i zbulimit i shkonte Enver Hoxhës. Ndërkohë, kishte raste që për të përgatiteshin dhe informacione të veçanta.
është folur se diku nga vitet 70 shërbimi i zbulimit ka përcjellë një informacion sipas të cilit Ramiz Alia ishte agjent i UDB-së dhe ky informacion nuk i ka shkuar Enver Hoxhës. Keni dijeni për këtë?
Enver Hoxha ka marrë çdo informacion nga shërbimi i zbulimit. Informacione të tilla si ky për Ramiz Alinë, ka pasur edhe për anëtarë të tjerë të Byrosë Politike. Pavarësisht nëse ishin apo jo të vërteta, ato i shkonin Enver Hoxhës. Ne përgjigjeshim për të transmetuar vetëm informacionin dhe nuk kishim detyrë për verifikimin e tij...
Nga vinin këto informacione?
Ato vinin nga bashkëpunëtorë të ndryshëm, por edhe nga zbulimet e huaja. Sigurisht që kishte edhe fallso ndër to. Këto i verifikonte niveli i lartë. Ne nuk kishin të drejtë t’i verifikonim...
Po për Mehmet Shehun ka pasur informacione të tilla?
Kanë ardhur disa informacione për të në rrugë agjenturore. Për to u fol vetëm pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut...
Ka zëra që bashkëpunëtori që informoi se Ramiz Alia ka qenë në shërbim të UDB-së është vrarë. A është e vërtetë kjo?
Nga bashkëpunëtorët e shërbimit nuk është vrarë vetëm një, por janë vrarë disa në rrethana misterioze...
A ka pasur plan zbulimi për të asgjësuar Leka Zogun?
Nuk ka pasur kurrë një plan të tillë.
A ndiqej ai rregullisht nga shërbimi tuaj?
Patjetër që ruhej se ai kishte armë, përgatiste ndërhyrje në Shqipëri, kishte aktivitet aktiv kundër vendit tonë. Disa bomba që u hodhën në ambasadat tona në Romë e Paris në vitet 70 ishin ideuar prej tij.
është verifikuar që ishin hedhur prej Leka Zogut?
është verifikuar që bombat janë hedhur nga njerëzit e tij, por jo nga ai vet.
Leka Zogu është akuzuar edhe për bandën e Xhevdet Mustafës, ai ka pohuar se nuk ka pasur dijeni për të...
Ai ka botuar një deklaratë në Paris ku merrte përsipër organizimin e bandës, pavarësisht që thotë se ka qenë shumë e rrezikshme përmbushja e atij misioni në atë kohë.
Gjatë shërbimit tuaj në Perëndim keni pasur dijeni për ndonjë plan të shërbimeve të huaja për të vrarë Enver Hoxhën?
Patjetër që kemi qenë në dijeni. Një nga këto plane, madje më i rrezikshmi ka qenë ai që tashmë njihet si banda e Xhevdet Mustafës
Pra ju thoni se banda e Xhevdet Mustafës ka pasur për mision eliminimin e Enver Hoxhës?
Kjo tashmë është konfirmuar. Qëllimi i bandës së Xhevdetit ishte pikërisht atentati ndaj Enverit.
Po rasti i Abdyl Banushit?
Edhe Abdyl Banushi ishte në këtë kategori.
Do bënte akte terroriste dhe ai?
Ai do bënte akte terrori. Më saktë do vriste Enver Hoxhën. Ai erdhi me këtë mision. Ka qëndruar disa ditë për realizimin e tij te zona e Shallvareve në Tiranë.
Nga hyri në Shqipëri Abdyl Banushi?
Hyri në rrugë tokësore. Ai kishte hyrë e dalë disa herë. Kur erdhi së fundi, ne ishim informuar dhe e ndiqnim. E dinim ku rrinte..
Kur erdhi herën e fundit dhe u kap sa kohë qëndroi në Shqipëri?
Rreth një javë ka qëndruar.
Ishte person i rrezikshëm Abdyl Banushi?
Shumë i rrezikshëm. Unë jam takuar vet me të.
Në çfarë rrethanash...
E kam takuar gjashtë vjet pas arrestimit të tij. Në atë kohë ai vuante dënimin në burgun e Burrelit. Shkova dhe e takova aty. Qëllonte që të dy ishim nga dy fshatra afër njeri- tjetrit (Unë nga Kuçi dhe Abdyli nga Golemi i Gjirokastrës) bisedova gjatë me të. I vura në vëmendje shumë gjëra që shokët e mi i kishin gjurmuar në aktivitetin e tij. Ai u çudit me informacionet që posedoja për të. Në fund i bëra një propozim. Po sikur të të fusim prapë në lojë, i thashë, do të pranosh. Pra i kërkova të bashkëpunonte me ne. “Edhe njëqind herë të më nxjerrin prej këtu, tha ai me bindje, 100 herë do të bëj të njëjtën gjë”. Atëherë, i thashë unë, në rregull. Ai vitet e fundit ka shkruar në një gazetë, se pas atij reagimi unë do ta raportoja dhe atë do ta vrisnin. E vërteta është se unë informova përmbledhtas që Abdyl Banushi nuk ka ndërruar mëndje.
Si ishte organizuar plani për të vrarë Enver Hoxhën?
Plani ishte bërë që Banushi do ta qëllonte Enverin në podiumin e paradës. Do qëllonte direkt nga Shallvaret me armë snajper. Kjo ishte dhe arsyeja që atë vit u zhvendos tribuna e paradës nga hotel Dajti para Kryeministrisë. Ne ishim informuar më parë për planin e Banushit, prandaj u morën këto masa.
Një tjetër plan i shërbimeve të huaja për atentat ndaj Enver Hoxhës ka qenë ai i bandës së Xhevdet Mustafës. Kur kishit marrë dijeni ju për misionin e saj?
Informacionin për bandën e Xhevdet Mustafës e kemi marrë rreth gjashtë muaj para se të zbarkonte. Një mik nga Kosova kishte mësuar në rrugë miqësore se përgatitej një bandë për tu hedhur në Shqipëri dhe kishte synime shumë serioze. E vlerësuam në kohë dhe me masat e marra arritëm ta identifikojmë. U konfirmua se kishim të bënim me një bandë amerikano-jugosllave. Aty ishin investuar dhe shërbime të tjera që kjo bandë të kompaktësohej e të stërvitej...
çfarë informacioni kishit që shërbimi amerikan ishte implikuar në këtë bandë?
Bashkëpunëtori ynë Halit Bajrami, që ju bashkëngjit bandës pa u kuptuar nga pjesëtarët e saj si njeriu i sigurimit. Por edhe bashkëpunëtorë të tjerë kishin deklaruar se këtë bandë e drejtonte CIA. Xhevdet Mustafa ishte kapur më parë nga amerikanët. Flitej për një milionë dollarë...
E dinit më parë se sa veta bënin pjesë në këtë bandë?
Patjetër që e dinim. Fillimisht ishin shumë. Rreth 20 prej tyre ishin shumë të rrezikshëm. Më në fund u përzgjodhën vetëm katër veta, ndër të cilët njëri ishte bashkëpunëtori ynë. Në çastet e fundit njëri prej tyre u tërhoq. Ai ishte Kaceli, i cili u tremb dhe u kthye teksa të tjerët hipën në varkë. Aty u bë i sëmurë dhe u tërhoq. E pa që ishte një veprim vetëvrasës. Kaceli ishte një nga të arratisurit shqiptar në Itali...
Gjatë periudhës gjashtë mujore që banda përgatitej, ju e kishit në kontroll?
Patjetër. E dinim ku stërvitej. I kemi parë duke u ushtruar. Dinim ku morën armët, ku morën varkën. Dinim bile edhe lekët, pasi ato me lojën e shërbimit sekret i morën në Shqipëri..
Pra ju u dhatë paratë shqiptare...
Ata dërguan njeriun e tyre dhe ne u dhamë paratë sipas porosisë. U dhamë prerje të mëdha që ata kur të mbërrinin të detyroheshin t’i thyenin...
Ku ti thyenin?
Ne me rrjetin e brendshëm kishim porositur njerëzit tanë që kush të paraqitej me prerje të mëdha e të reja, të ndiqej e të raportohej menjëherë. Kundërzbulimi kishte bërë një plan pasash shumë të detajuar....
Nga aq sa kishit ju informacion, i njihnit pjesëtarët e bandës, kishit dijeni për përgatitjen e tyre?
Ne kishim informacion të plotë për të gjithë. E dinim që Xhevdet Mustafa ishte ai që do kryente aktin. Sabaudini ishte truri i grupit. Dinim nga do vinin e ku do futeshin. Dinim ndërkaq që secili nga ata kishte pikat e veta të kontaktit në Shqipëri..
Po datën kur do zbarkonin e dinit?
Afërsisht e dinim. E dinim që do vinin brenda muajit shtator. Po ashtu kishim informacion se do të zbarkonin diku në zonën Golem-Divjakë...
A kishit mundësi për t’i arrestuar në det pa u futur në territorin shqiptar?
Nuk mund t’i arrestonim pa u futur në territorin tonë.
Banda e Xhevdet Mustafës zbarkoi në zonën e Divjakës dhe arriti deri në Rrogozhinë. Kur u përballët drejtpërdrejt me të?
Banda ra në gjurmë në lokalin e Rrogozhinës. Aty ata hynë pasi u kishte ikur treni. Po ta kishin kapur trenin e të futeshin në të natyrisht që do të ishte shumë e vështirë përballja me të. Ata u diktuan se nuk dinin rrugën. E dyta u diktuan nga atletet e huaja. Në këto raste zakonisht aksionet e mëdha nuk dështojnë për gjëra të rëndësishme, por për budallallëqe, për çështje të rëndomta.
Po veshjet e tjera i kishin përshtatur?
Rrobat që mbanin veshur pak a shumë i kishin përshtatur dhe nuk binin në sy. E para i diktoi punonjësja e lokalit te stacioni i trenit dhe lajmëroi menjëherë policinë e shërbimit atje. Ky i fundit thirri Halit Bajramin. Halit Bajrami duke i treguar Xhevdetin dhe Sabaudinin që ishin pak më larg, i tha: Ata shiko! Armët i kam unë. Ata kanë vetëm nga një pistoletë. Sakaq Xhevdeti u largua menjëherë. Sabaudini u fut në një bunker aty afër...
Dhe në këtë moment...
Iku Xhevdeti, mori makinën dhe u largua me shpejtësi. çeta vullnetare e Rrogozhinës bëri atë që nuk duhej bërë. E gjitha siç ishte ju turr me breshëri bunkerit ku ishte Sabaudini dhe e vranë. Ata e dinin çfarë arme kishte ai me vete, por u nxituan. Porosia ishte për ta kapur të gjallë dhe mundësia ishte shumë e madhe për një gjë të tillë.
Po Xhevdeti mund të kapej i gjallë?
Edhe ai duhej kapur i gjallë, bile ishin mundësitë. E vërteta është se atë dinamikë në terren unë nuk e kam ndjekur, pasi në ato momente ne ishim në mbledhjen e organizatës së partisë ku diskutonim për tablonë sinoptike të veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut. Aty na lajmëruan për çfarë kishte ndodhur. Kur shkuam ne kishte përfunduar gjithçka. Afër Kavajës u përballëm me një gaz të hapur të ushtrisë në të cilin kishin hedhur trupin e Xhevdet Mustafës...
Po Halit Bajrami ku përfundoi?
Ai ishte bashkëpunëtori ynë dhe nuk duhej trajtuar ashtu si u trajtua. Halit Bajramin e takova pasdite dhe të nesërmen për t’i marrë informacionet e fundit. Ai ishte mjaft i lodhur dhe i tronditur. Më tha disa gjëra, por nuk ishte në gjendje shpirtërore. Ishte shumë i emocionuar. Menjëherë pas kësaj mua pa asnjë arsye më hoqën nga operacioni dhe me të u angazhuan të tjerë njerëz.
Halit Bajramin më pas e larguan jashtë shtetit...
Më vonë mora vesh se e nxorën nga Greqia të shoqëruar dhe ai mbërriti në Zelandën e Re.
Ishte e vërtetë ajo që thuhej se banda vinte me porosi të Kadri Hazbiut për të vrarë Enver Hoxhën?
Për mua banda u përdor për të akuzuar Kadri Hazbiun, sikur ishte ai që e solli. Unë asnjëherë nuk kam marrë ndonjë informacion që Kadri Hazbiu ishte agjent i ndonjë agjenture të huaj.
A e ndiqte zbulimi shqiptar Fan Nolin në Amerikë?
Nuk ka pasur përpunim, siç i themi në gjuhën e shërbimit për Fan Nolin dhe nuk e besoj që ai të ndiqej nga zbulimi shqiptar...

Përgatiti: A. Imaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›