Gjermania, polemikat për kapitenin prishin harmoninë
Harmonia brenda përfaqësueses së Gjermanisë është prishur paksa të martën, pasi kapiteni aktual Filip Lahm ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend t’ia kthejë shiritin mesfushorit Mikael Balak, kur ky i fundit të kthehet në ekip. Komenteve të Lahmit i është dashur t’u japë shpjegime menaxheri i Kombëtares së Gjermanisë, Oliver Bierhof. Ky i fundit ka mohuar kategorikisht se këto gjëra kanë ndikuar brenda ekipit. “Këtu nuk ka asgjë. Madje, në ekipin tonë nuk ekziston as konflikti më i vogël. Balak është ende kapiteni ynë, kurse Lahm është kapiten vetëm në kampionatin botëror”, theksoi ai. Balaku ka munguar në Botërorin 2010 për shkak të dëmtimit të nyjës së këmbës, ndërsa të shtunën ishte në pankinën e Gjermanisë, gjatë eliminimit të Argjentinës. Ai është larguar të hënën nga Afrika e Jugut drejt të Europës dhe kështu ka hapur spekulimet se këtë e ka bërë pas polemikave me Lahmin. “Nuk është ky rasti që po mendoni, sepse Balaku e ka vizituar ekipin edhe në Sicili para fillimit të Botërorit dhe ishim marrë vesh që të jetë këtu edhe në çerekfinale, - bën të ditur menaxheri i Kombëtares gjermane. - është një koincidencë largimi i Balakut dhe deklaratat e Lahmit, sepse asgjë nuk ka mes tyre”. Lahm ka thënë se nuk ka asnjë arsye të heqë dorë vullnetarisht nga shiriti i kapitenit, pasi i pëlqen roli që ka aktualisht te Gjermania. “është shumë e qartë që dua ta mbaj shiritin e kapitenit. Më tregoni se kush do të hiqte dorë nga një rol i tillë në mënyrë vullnetare... Askush! Normal që as unë nuk dua”, është shprehur Lahm.