E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bashkia të ndalë punimet në shesh”

Qeveria, e angazhuar për ndërtimin e “Unazës së Madhe”

Ky kaos në trafikun e kryeqytetit me të cilin përballemi çdo ditë mund të merrte fund me ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës. Teorikisht të gjithë ekspertët pa dallim rreshtimi politik, e mbështesin këtë ide. Praktikisht unaza vijon të mbetet në fazat fillestare projektuese. Mungesa e dialogut mes bashkisë së kryeqytetit dhe pushtetit qendror, vijon të mbajë peng ndërtimin e Unazës së Madhe të kryeqytetit.
Më se 20 kilometra e gjatë, Unaza e Madhe do të kanalizonte një pjesë të rëndësishme të trafikut urban si dhe lidhjeve me komunat dhe akset kombëtare.
Projekti për ndërtimin e kësaj unaze ka kohë që diskutohet si në nivel bashkie, ashtu edhe pushteti qendror. Edhe një segment fare i shkurtër nga Dogana e Tiranës deri tek Shkolla Teknologjike që është ndërtuar disa vite më parë, mund të lihet jashtë projektit, pasi gjurma e unazës mund të zgjerohet. Qeveria po studion mundësinë e dhënies me koncension të pjesës së ngelur të unazës.
Suzana Guxholli, këshilltare e kryeministrit për ekonominë, pohon interesin e shprehur nga ana e disa kompanive të huaja.
“Bashkia ka vetëm një të katërtën pjesë të unazës. Qeveria është e vendosur për ta ndërtuar pjesën e saj. Janë dy mundësi, me financim ose me konçesion. Ka mjaft interes nga ana e kompanive të huaja të ndërtimit për këtë vepër të infrastrukturës”, u shpreh Guxholli.
Studimet tregojnë se nëse sot Unaza e Madhe do të ishte funksionale të paktën 1 në çdo 10 automjete që qarkullojnë në territorin e vendit, do të kalonte çdo ditë në të. Sipas bashkisë së Tiranës, Unaza e Madhe parashikohet të përballojë një trafik mbi 20 mijë kalime në ditë, që në momentin e parë. Duke llogaritur një rritje trafiku prej mesatarisht 7 për qind në vit, kjo rrugë parashikohet të përballojë një trafik prej 38,000 automjetesh në ditë pas 5 viteve te para. Pjesa e Unazës së Madhe që i takon bashkisë ka një gjatësi prej rreth 5.2 km dhe është projektuar të kalojë në zonën e Selitës, pranë kopshtit Botanik dhe Zoologjik
Gjurma e Unazës së Madhe kalon më pas mbi kodrat e Liqenit Artificial deri tek Kodrat e Saukut, është kryesisht një zonë e paurbanizuar, e lirë nga ndërtimet.
Gjurma e Unazës lidhet më pas me rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik. Nga kjo pikë dhe në vijim, Ministria e Punëve Publike po studion variantet e mundshme për ndërtimin e unazës përfshi këtu edhe tunele.
Zëvendësministri Ernest Noka pohon se ekzekutivi është e vendosur për ta ndërtuar këtë unazë, e cila kalon tek Ura e Brarit.
Ndërsa nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës thotë se, është hartuar projekti teknik i Unazës së Madhe në konsultim me specialistë të huaj dhe priten procedurat e shpronësimit nga ana e qeverisë.
Përfaqësuesi i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në vendin tonë, Daniel Berg, pohon gatishmërinë e këtij institucioni për financimin e një pjese së Unazës së Madhe që i takon bashkisë së kryeqytetit.
Sipas Berg, Bashkia dhe qeveria duhet të ndihmojnë njëra-tjetrën në funksion të ndërtimit të kësaj Unaze.
Përfaqësuesi i BERZH, Daniel Berg thotë se “është financuar Unaza e Vogël dhe jemi në negociata për të bërë të njëjtën gjë edhe për rreth 5,5 kilometra të Unazës së Madhe”. “Shuma e financimit është rreth 20 milion euro ku nuk përfshihen kostot për shpronësimet. Brenda këtij viti, besojmë se duhet të arrihet nënshkrimi i marrëveshjes. Duhet që si pushteti qendror ashtu dhe ai vendor, të bashkëpunojnë për t’i hapur rrugën sa më shpejt implementimit të këtij projekti”, u shpreh ai.
Bashkia e Tiranës vendosi disa ditë më parë të hapë punimet në sheshin “Skënderbej”, por çfarë do të ndodhë me trafikun? Në këtë shesh kanalizohet trafiku që mbërrin nga disa rrugë kryesore në Tiranë, por shumë shpejt qarkullimi i automjeteve do të bllokohet duke shkaktuar kaos në trafik. Vetë qytetarët mendojnë se bashkia duhet të kishte menduar për Unazën e Madhe e më pas, për të bllokuar trafikun në qendër të kryeqytetit.
Jo vetëm qytetarët, por edhe specialistët e çështjeve të trafikut dhe transportit, mendojnë pikësëpari se bashkia e Tiranës duhet t’i kishte dhënë zgjidhje segmentit të Unazës së Madhe dhe më pas këtij sheshi, në mënyrë që të shmangte problemet në qarkullimin e automjeteve në qendër të Tiranës.
Inxhinieri Artur Sulçe, deklaron qendra e Tiranës duhej të ishte ndërtuar pas Unazës së Madhe.
“Duhej të ishte bërë më parë Unaza e Madhe dhe më pas punimet në qendër. Parashikoj një trafik shumë të rënduar. Mungon sinjalistika”, tha ai.
Mungesa e Unazës së Madhe edhe për një kohë të papërcaktuar, do të vijojë të shkaktojë stres dhe trafik për qytetarët dhe njëkohësisht kosto shtesë për mijëra biznese që zhvillojnë aktivitet në kryeqytet dhe në rrethinat e tij.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›