E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia u kthehet punëve vullnetare

Elbasan- Bashkia Elbasan synon të pastrojë qytetin në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. Në një takim të zhvilluar dje me OJF, bashkia publikoi projektin e kthimit të traditës së dikurshme që ka ekzistuar në Elbasan për kujdesin dhe mirëmbajtjen e qytetit, lagjes dhe shtëpive qytetare. Në fjalën e marrë me këtë rast kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini, u shpreh se “Dita e Vullnetarizmit, e fiksuar që në vitin 1998 nga OKB-ja, është një rast për rikthimin në traditën e hershme të qytetit të Elbasanit për një qytet të pastër. Për këtë arsye është propozuar që gjatë kësaj periudhe të organizohen iniciativa të tilla që kanë të bëjnë me pastrimin e lagjeve të Elbasanit, pastrimin dhe pasurimin e lulishteve të qytetit si dhe mirëmbajtjen e ambienteve dhe banesave në të cilat jetojnë qytetarët”. Përfaqësuesit e OJF-ve u treguan të gatshëm në këtë nismë dhe për këtë qëllim u krijua një komision i posaçëm i cili do të merret me hartimin dhe udhëheqjen e projekteve. Aktualisht Bashkia e Elbasanit ka aplikuar projekte të tilla për lyerjen me gëlqere të banesave të vjetra në Elbasan dhe në mirëmbajtjen e varrezave të qytetit. Fatos Salliu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›