Tatimet: Bizneset nuk po paguajnë taksat, përfitojnë nga rrëmuja elektorale
Administrata Tatimore ka dhënë sërish alarmin për nivelin e ulët të pagesës së taksave dhe tatimeve nga ana e subjekteve të biznesit në mbarë vendin, duke e lidhur këtë me situatën parazgjedhore. Ditët e fundit frika se situata zgjedhore do të ndikojë negativisht në mbledhjen e të ardhurave ka përfshirë në panik administratën tatimore. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, ka urdhëruar ngritjen e 12 grupeve që do të mbikëqyrin punën e 12 drejtorive rajonale, të tatimeve në qytetet kryesore. Ky urdhër vjen në kulmin e fushatës zgjedhore, ku frika se biznesi mund ti shmanget detyrimeve të shtetit sa vjen dhe rritet. Ndërkohë edhe efektiviteti i punonjësve të administratës shtetërore gjatë kësaj periudhe bie. Ky urdhër, sipas burimeve pranë DPT-së, “ka si qëllim të realizojë planin e mbledhjes së të ardhurave kryesisht gjatë muajit qershor, por ai do të jetë në fuqi deri në realizimin e planit edhe për 6-mujorin e dytë të vitit, pasi periudha pas zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re mbetet e vështirë për tu menaxhuar”. Sipas të dhënave mësohet se, grupet që do të mbikëqyrin drejtoritë rajonale do të raportojnë çdo tre ditë pranë drejtorit të përgjithshëm, duke evidentuar edhe ato subjekte që kërkojnë ti shmangen detyrimeve. Puna e tatimoreve do të përqendrohet në mbledhjen e katër tatimeve që konsiderohen më të rëndësishmet, tatim fitimi, tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore, si dhe tatimin mbi të ardhurat personale. Pak ditë më parë drejtori i tatimeve u shpreh se si 5 mujorë të ardhurat janë realizuar deri në 103 për qind duke sfiduar jo vetëm efektet e një viti elektoral por edhe ato të krizës ekonomike. Por edhe pse situata përshkruhet si optimiste, frika mbetet prezent për periudhën në vazhdim.
24 Qershor 2009