Durrës, “Eagle Mobile” hap dyqanin e parë për bizneset
Kompania e telefonisë celularë “Eagle Mobile” ka hapur dyqanin e parë për bizneset në qytetin e Durrësit. Bashkia e qytetit dhe shoqata “Durrësi” kanë nderuar presidentin Ali Taskin me titullin “Nderi i qytetit”, me motivacionin “për kontribut të veçantë në zhvillimin ekonomik dhe në promovimin e vlerave historike të këtij qyteti”. Për presidentin e kësaj kompanie Ali Taskin, “ofertat e veçanta, një gamë e re produktesh, dhe shumë dyqane simotra të kësaj kompanie, do të jenë një ndihmë jo vetëm për biznesmenët durrsakë, por edhe më gjerë”. Kompania “Eagle” është angazhuar kohët e fundit në një fushatë të gjerë të promovimit të shërbimeve dhe ofertave më të reja të saj për të gjithë abonentët e kësaj kompanie. Ajo ka ulur ndjeshëm dhe tarifat e bisedave telefonike si brenda rrjetit ashtu dhe me operatorët e tjerë kombëtar dhe ndërkombëtar.
QKL nis dhënien e licencave për bizneset, jepen 30 të parat
Vetëm 2 javë nga hapja e saj, Qendra Kombëtare e Licencimit ka nisur dhënien e lejeve dhe licencave të para për subjektet. Interesi i sipërmarrësve për t'u informuar dhe më pas për t'u pajisur me lejet përkatëse për ushtrim aktiviteti rezulton i lartë. Drejtoresha e QKL-së, Eneida Guria, u shpreh se deri tani janë kryer 39 aplikime, ndërkohë që janë dhënë 30 licenca. Sipas Gurias, dhënia e licencave për biznesin ndahet në 3 grupe të cilat kanë dhe afate të ndryshme, por që të gjitha bëhen dhe në bashkëpunim me dikasteret e linjës, fusha për të cilat kërkohet licenca apo leja përkatëse. Pranë QKL-së mund të aplikohet për rreth 80 për qind të licencave apo lejeve kombëtare, ndërsa nuk mund të merren lejet e ndërtimit dhe koncensionet. Licenca hyn në fuqi menjëherë sapo aplikimi të cilësohet si i aprovuar në regjistrin on-line. Ndërkohe sistemi i kompjuterizuar, mundëson që çdo aplikues të ndjekë përmes faqes së internetit të kësaj qendre statusin e kërkesës së tij për marrje licence.
24 Qershor 2009