Bashkiakët dhe komunarët socialistë ofrojnë ndihmë financiare
Drejtuesit e bashkive dhe komunave socialiste të vendit, në një takim të zhvilluar paraditen e djeshme në Bashkinë e Tiranës me kryetarin Edi Rama, janë ofruar të gatshëm për ndihmë financiare dhe solidarizim me banorët e zonave të përmbytura në veri të vendit. Por nga ana tjetër, shoqata për mbrojtjen e autonomisë vendore ka akuzuar si shkaktare të kësaj ngjarjeje korrupsionin dhe babëzinë e qeverisë. Pas takimit me Edi Ramën, kryetari i kësaj shoqate, kryebashkiaku i Pogradecit, Artan Shkëmbi, deklaroi se në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura, vendorët socialistë do të vënë në dispozicion çdo resurs, duke nisur nga paga e tyre mujore.
“Kryetarët e bashkive dhe komunave do të japin pjesë nga pagat e tyre, ku biznesmenë, punonjës të administratës e qytetarë të qyteteve dhe komunave tona do të sensibilizohen që të kontribuojnë në përmirësimin e situatës”, deklaroi Shkëmbi. Kryetari i Bashkisë së Pogradecit deklaroi gjithashtu se situata e rënduar në veri të vendit ka ndodhur si pasojë e keqqeverisjes së Kryeministrit Berisha. Më i ashpër në deklaratat e tij kundrejt përgjegjësisë së qeverisë në krijimin e situatës në veri ishte kryetari i Bashkisë së Pukës, Rustem Struga.
"Kam qenë në terren para dy ditësh dhe kam parë se çfarë shkakton korrupsioni, babëzia dhe paaftësia e kësaj qeverie, e cila ka hap portat pikërisht në kuotat kritike, ku specialistët, drejtuesit, deri në dikastere e deri te Kryeministri, nuk ia kanë idenë se si funksionon sistemi energjetik atje dhe pikërisht u krijua kjo situatë", u shpreh kryetari i Bashkisë Pukë. Sipas tij, mbështetja e bashkive socialiste për banorët ishte e domosdoshme.