E Diel, 1 Nëntor 2026

Njeriu misterioz mban ende me shpresë tregtarët korçarë

Mashtrimet e të riut shkodran që ka shpërndarë çeqe bankare përkundrejt fitimit të parave në formë borxhi, ose me marrjen e mallrave nga biznesmenët korçarë, duket se nuk kanë të sosur. Mashtruesi premton kthimin e parave për të mbajtur larg denoncimeve të mundshme viktimat e tij. Dhe duket se po ia arrin qëllimit edhe me këtë metodë. Asnjë nga biznesmenët që kanë marrë një çek bankar të lëshuar prej shkodranit nën emrin e Eduart Dibrës, nuk i është drejtuar policisë me kallëzim. Personat që kanë kontaktuar me të ditët e para të vitit kur shkodrani u shfaq në Korçë si një njeri i pasur, nuk kanë dijeni për vendndodhjen, por vazhdojnë të mbajnë ende shpresën se çeqet mund të përdoren për tërheqje të parave nga llogaria në bankën përkatëse, ose në të kundërt i riu mund t’u japë sërish shumat e marra borxh. Eduart Dibra po mban me shpresë viktimat që kanë rënë pre e tij se paratë do t’ua kthejë në mirëbesim vetëm në rast se nuk i drejtohen policisë.
Ai kërkon që bizneset të kenë durim e të presin, pasi shumë shpejt do t’ua kthejë paratë. Një nga biznesmenët thotë se i riu që pretendon se është nga qyteti i Shkodrës, i ka premtuar së fundmi kthimin e parave të marra në formë borxhi. Po ashtu një grua që ka një biznes në qytet për tregtimin e veshjeve deklaron se nga kontaktet telefonike është në pritje të një dërgese që Eduart Dibra i ka premtuar për një çek bankar me vlerë jo shumë të madhe, të lëshuar prej tij për blerje veshjesh. Të paktën katër persona që i janë drejtuar bankës për verifikimin e çeqeve dhe që kanë konstatuar se nuk ka llogari, janë ende në pritje. Ata thonë se nuk i janë drejtuar policisë pasi kanë kontaktuar nëpërmjet telefonit me ndarësin e çeqeve bankare dhe janë në pritje të marrjes së shumave që kanë dhënë borxh.
Ndërsa i riu pa një identitet të sigurt përpiqet të fitojë kohë, policia nuk ka në dorë asnjë denoncim për të nisur veprimet hetimore për këtë rast. Burime të sigurta zyrtare pranë policisë bëjnë të ditur se ka nisur interesimi pas publikimit në media për personin që lëshon çeqe nën emrin e Eduart Dibrës, por zyrtarisht nuk ka asnjë denoncim nga ana e biznesmenëve që janë mashtruar prej tij. Sipas policisë, personat nuk pranojnë që u është shkaktuar një dëm financiar, duke mohuar deri më tani dhënien e lekëve në formë borxhi, por pranojnë që kanë marrë një çek nga një person që paraqitet me emrin Eduart Dibra.
Policia thotë se me marrjen e një denoncimi do të nisin menjëherë veprimet hetimore, edhe pse ka pasur disa kontakte me “klientët” e supermashtruesit arkitekt. Nën premtimin e blerjes së mallrave apo materialeve ose çeqeve për pagesa që nuk janë kryer prej tij në dyqane dhe hotele, i riu mendohet se është larguar nga qyteti i Korçës për të mos rënë jo vetëm në duar të policisë, por as në kontakt të afërt me personat që ka mashtruar. Nga të dhënat, që nga data 3 janar ai nuk figuron të jetë regjistruar në hotelet e qytetit me emrin që ka përdorur në Korçë pas mbërritjes së tij si biznesmen i fuqishëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›