Topi: Më i fortë, le t’i fitojë zgjedhjet
Pa dashur të futet në parashikime, për shkak të pozicionit si President i Republikës, Bamir Topi, tashmë i distancuar nga përkatësitë politike, pohon qartë se kush është më i forti, le t’i fitore zgjedhjet. Gjatë një interviste për gazetën kroate “Veçernji List”, Topi bën vlerësime për situatën parazgjedhore në Shqipëri, të cilën e konsideron si të qëndrueshme. Për sa i përket pyetjes direkte nëse sheh ndryshime në qeverisje, Topi thotë: “Nuk mund të futem në parashikime, sepse para zgjedhjes në funksionin e Presidentit të Republikës isha nënkryetar i Partisë Demokratike dhe pas zgjedhjes në funksionin aktual, kam ndërprerë aktivitetet e mia partiake”. Ai vë në dukje se me rëndësi është që këto zgjedhje të jenë të lira, korrekte dhe të forcojnë demokracinë në Shqipëri. “Kush është më i fortë, le të fitojë”, - thekson z. Topi. Presidenti konfirmon për median kroate se partitë politike momentalisht po zhvillojnë fushatën dhe mbi bazën e një kodi të ri zgjedhor, i cili përuron sistemin proporcional, i cili mendohet se do të jetë i mirë. Sipas tij, zgjedhjet janë tema kryesore, por është gjë e mirë që u bëmë vend i NATO-s dhe kemi aplikuar për vend kandidat në BE. Por kreu i shtetit shqiptar është pyetur edhe për nismën e Shqipërisë për të ashtuquajturin mini-Shengen sipas të cilit Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova janë marrë vesh për një sistem pa viza. “Qëllimi i mini-Shengenit është lëvizja e lirë e njerëzve në rajon, ndërsa heqja e vizave ose marrja e tyre në kufi, është një fillim i mirë. Kemi arritur marrëveshje për heqjen e vizave edhe me Bosnjë-Hercegovinën dhe kam shpresë se kësaj do t’ia arrijmë edhe me Kroacinë. Nuk ka gjë më të mirë sesa njerëzit në tërë rajonin të lëvizin pa viza. Kështu ata çlirohen psikologjikisht kur është kështu, ndërsa vendet e Ballkanit sot nuk kanë probleme me nacionalizmin dhe situata është e favorshme që njerëzit të jenë me të vërtetë të lirë”, - u shpreh Presidenti Bamir Topi. Ai flet edhe marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë duke thënë: “Dëshirojmë të ndihmojmë në forcimin e shtetit multietnik, të zhvillojmë dialogun institucional dhe infrastrukturën e qarkullimit në drejtim të Kosovës, sepse një gjë e tillë do t’i vinte në ndihmë mbarë rajonit”. Presidenti Topi ka bindjen se “Serbia nuk ka për ta njohur kurrë Kosovën e pavarur, por nga ana tjetër, Kosovën po e njohin shtetet e tjera të botës dhe unë më shumë vlerësoj njohjen nga ana e pothuajse të gjithë vendeve të rajonit dhe mendoj se ky është një proces i pakthyeshëm. Edhe Kosova pas disa viteve do të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së, ndërsa Serbia pas njëfarë kohe do të mësohet me këtë situatë. Ky realitet krijon stabilitet në rajon”.