Milo: Pengohet fushata e PDS-së
Incident në fushatën e kreut të PDS-së, Paskal Milo, në Bulqizë. Në pallatin e kulturës, ku ishte parashikuar çelja e fushatës, papritur është ndërprerë energjia elektrike. Është penguar nga policia gjithashtu edhe një miting në sheshin qendror të qytetit. Sipas kreut të PDS, ishte marrë leja përkatëse për zhvillimin e fushatës, ndërkohë që policia nuk e ka lejuar atë. “Në orën 11:00 ishte parashikuar dhe marrë leje nga policia e Peshkopisë për të zhvilluar dy takime elektorale në pallatin e kulturës në Peshkopi dhe në sheshin qendror të Bulqizës. Për të parin na prenë dritat dhe kemi pritur mbi një orë që të vinin dritat. Në Bulqizë na priste një surprizë tjetër, ne sheshin qendror policia nuk lejonte njerëzit të vendosin instalimet e nevojshme për të zhvilluar mitingun”, - u shpreh Milo. Sipas kreut të PDS-së, policia ka deklaruar se mitingu në Bulqizë nuk mund të zhvillohet për shkak se në atë orë ishte duke u zhvilluar një mbledhje e Partisë Demokratike. Milo theksoi se forcat e policisë ushtronin presion mbi qytetarët, në mënyrë që të mos i lejonin të merrnin pjesë në miting.