E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishimura: Reformat e Berishës, fitorja e 28 qershorit



Qeveria japoneze i uron Kryeministrit Sali Berisha fitore në zgjedhjet e 28 qershorit, në mënyrë që reformat të cilat çuan Shqipërinë në NATO dhe që e ndryshuan atë, qeveria e tij t’i vazhdojë më tej. Kjo iu bë dje e ditur z. Berisha nga zëvendësministri i Jashtëm i Japonisë, z. Yasutoshi Nishimura. Gjatë takimit të djeshëm në zyrën e Berishës, Nishimura u shpreh mjaft i gëzuar që vizitonte Shqipërinë dhe që shihte nga afër zhvillimin dhe ndryshimin e saj, si një hap ky drejt forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve mike. Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit dhe garantoi se vendi do të ketë një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, bazuar në një infrastrukturë të re dhe moderne zgjedhore. Z. Nishimura i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet dhe vlerësimet më të larta të Kryeministrit të Japonisë, zotit Taro Aso, dhe të ish-Kryeministrit japonez, Mori. Kryeministri Berisha falënderoi mikun japonez për vizitën si dhe për vlerësimet dhe kërkoi që ai të inkurajonte vizitën e Kryeministrit japonez Aso dhe të ish-Kryeministrit japonez, Mori, në Shqipëri. Nga ana e tij, z. Nishimura u shpreh se kjo ftesë ishte e mirëpritur dhe se do të bënte përpjekjet më të mëdha që kjo vizitë të zhvillohej brenda këtij viti. Zëvendësministri i Jashtëm i Japonisë, z. Nishimura, garantoi se do të jetë e vazhdueshme mbështetja e qeverisë japoneze për projektet e përbashkëta ekonomike, duke veçuar përkrahjen për ndërtimin e infrastrukturës rurale si dhe projekte të tjera. Gjithashtu, ai siguroi për mbështetjen dhe inkurajimin për investimet japoneze në Shqipëri, të cilat gjejnë mbështetjen e qeverisë shqiptare, një sistem të favorshëm fiskal dhe krahu pune, siguri të lartë dhe potenciale të mëdha në shumë fusha, si në turizëm, miniera, energji, elektronikë, infrastrukturë etj. “Jemi krenarë për zbatimin e projekteve që asistojmë në Shqipëri. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë së bashku sepse Shqipëria ka potenciale të mëdha dhe ju, z. Kryeministër, keni arritur suksese të admirueshme në reformat ekonomike”, - tha z. Nishimura.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›