Rrëshen, Topalli: Përballë nesh, partia e betonit
Kryetarja e Kuvendit, njëkohësisht numri dy në Partinë Demokratike, Jozefina Topalli, vijoi turin e saj elektoral në Rrëshen nga ku deklaroi se përballë alternativës së kësaj mazhorance, ndodhet partia e betonit. Topalli lëshoi akuza ndaj PS-së, duke e cilësuar si një parti që ka vetëm interesa klinteliste në ndërtim. “Nuk është më Partia Socialiste. Është partia e betonit. Nuk është Partia Socialiste, është partia e lejeve të ndërtimit. Nuk është Partia Socialiste, është partia e 15-përqindëshit. Është partia që hedh baltë mbi çdo vepër. Mbi veprat e jugut, mbi veprat e veriut. Mbi veprat e integrimit, mbi rritjen e pensioneve, mbi ndërtimin e shkollave. Nuk është Partia Socialiste. Është vetëm trusti i ndërtimit, trusti i betonit, trusti i 15-përqindëshit, trusti i klientelizmit”, - tha Topalli. Duke vijuar më tej ajo tha se ndryshimi me PD-në është i dukshëm. Sipas saj, kjo mazhorancë mbajti premtimet për të cilat u votuan në vitin 2005. Topalli e cilësoi PS-në si një parti joserioze, pasi sipas saj, ajo ka dalë edhe kundër çështjeve madhore në vend, si protestat kur vendi hyri në NATO. “Ne, - vijoi kryetarja e Kuvendit, - kemi treguar se kur e themi fjalën, e mbajmë atë. Këto 4 vite kanë qenë konfirmimi i fjalës së mbajtur, këto 4 vite kanë qenë konfirmimi i premtimeve të mbajtura. Ne nuk jemi si Bashkia e Tiranës që proteston kur Shqipëria hyri në NATO. Jemi dy botë krejt të ndryshme. Ne nuk jemi si Bashkia e Tiranës që hedh baltë mbi rrugën që po e bën jetën më të mirë. Ne nuk jemi si Bashkia e Tiranës që hedh helm çdo ditë, çdo orë, çdo sekondë mbi rrugët që bashkojnë shqiptarët”, - deklaroi Topalli. Ajo më tej foli me banorët e Rrëshenit për doktrinën ekonomike të kësaj qeverie, që sipas saj, luftoi korrupsionin, uli taksat, rriti shpenzimet në infrastrukturë, rriti pagat dhe pensionet, punësimin si dhe mirëqenien e shqiptarëve krahasuar me katër vite më parë. “Është rritja e turizmit. Është rritja e eksporteve. Është dixhitalizimi. Është ulja e vjedhjes, e korrupsionit. Është rritja e imazhit, zbukurimi i imazhit tonë, zbukurimi i imazhit të shqiptarëve. Doktrina e tij ekonomike ishte një doktrinë, në radhë të parë në luftë kundër korrupsionit, në luftë kundër krimit të organizuar. Ishte një doktrinë e rritjes ekonomike, e rritjes së të ardhurave, e rritjes së rrogave, e rritjes së pensioneve, e uljes së taksave. Ishte një doktrinë e thithjes së investimeve”, - tha më tej Topalli në Rrëshen.