E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtuesit e mediave, tur në rrugën Durrës - Kukës me ministrin Olldashi



Ndërsa vetëm pak metra kanë mbetur për të lidhur dy pikat e tunelit të Kalimashit, ministri i Punëve Publike, Sokol Olladashi, ftoi të gjithë drejtuesit e mediave në Tiranë për një tur në veprën më të madhe të infrastrukturës në Shqipëri. Të paktën tridhjetë drejtues të gazetave dhe televizioneve në Tiranë, zhvilluan dje një udhëtim njohës nën shoqërinë e ministrit të Transporteve.

Olldashi, në bisedë me gazetarët, e cilësoi këtë një vepër tepër të rëndësishme. “Jemi fare pak metra nga takimi që do të thotë se punëtorët nga njëra anë e tunelit dhe nga ana tjetër do t’i japin dorën njëri-tjetrit. Kjo do të thotë se ne mbërrimë në një nga pikat më kulminante të projektit, në hapjen e tunelit. Pjesa tjetër është në proces asfaltimi dhe po punohet që të bëhet i mundur objektivi i saj, përpara fundit të qershorit”, - theksoi ministri i Transporteve.

Përfaqësues të kompanisë që po kryen punimet, theksojnë se brenda 25 qershorit do të realizohet lëvizja në njërin prej segmenteve të rrugës, me dy kalime. Ndërsa në shtator do të hapen të dyja akset e rrugës. “Ne jemi shumë afër përfundimit të gërmimit në pjesën veriore të tunelit, rreth 5-6 metra të vështira, sepse jemi në një terren shumë të vështirë. Për këtë arsye ne kemi një numër shumë të limituar njerëzish në tunel në këtë moment, për të bërë të mundur që të izolohet tuneli në mënyrë të veçantë”, - theksoi Stam Holmes, drejtues i punimeve të Bektel Enka. Para disa ditësh është realizuar edhe prova nëse ishin në rrugën e duhur apo jo. Po punohet në dy drejtime dhe prova konfirmoi këtë. “Rezultatet që kemi arritur janë shumë të mira. Mund të deklarojmë se jemi në pikën e duhur”, - tha drejtuesi i punimeve.

“Ne vazhdojmë të jemi të detyruar të presim për hapjen e plotë të tunelit dhe pjesës jugore të tij. Ka qenë një terren shumë i vështirë dhe duhet të them se nga kilometri i 10-të i seksionit të parë deri në fillim të tunelit ka qenë më e ndërlikuar”, - theksojnë përfaqësues të kompanisë. Në këtë moment nuk po përdoret eksploziv, por vetëm po gërryhet tuneli, sepse cilësia e shkëmbit është e tillë që nuk lejon përdorimin e eksplozivit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›