Klos, kandidati i LSI: Probleme në zgjedhje
Kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim për kryetar bashkie të Klosit, Xhevdet Reci dhe kryetari i degës së kësaj partie për këtë njësi vendore Petrit Diku denoncuan dje prezencën në listat e komisionerëve të punonjësve të policisë së Burgut të Sigurisë së Lartë Burrel, drejtorë të institucioneve, punonjës të administratës së bashkisë, këshilltarë vendorë etj. Reci tha se kishte konstatuar persona të pajisur me kartë identiteti nga Bashkia Klos ndërkohë që disa zgjedhës nuk kanë gjetur emrat e tyre në qendrat e votimit ku banojnë prej vitesh. Madje ata u shprehën se nga drejtorët e Qarkut Dibër, të cilët kanë “mësyer” Klosin tre ditët e fundit, është ushtruar presion mbi të punësuarit në sektorin e arsimit e shëndetësisë, dhe se pjesëmarrja deri në orët e pasdites ka qenë më e ulëta deri më sot. 7200 zgjedhës ishin përfshirë në listat e zgjedhësve të 15 qëndrave të votimit në qytetin e Klosit dhe 13 fshatra të kësaj bashkie. Kryetari i KZAZ nr. 6 Gani Lili tha për gazetën “Panorama” se publikimi i listave, shpërndarja e bazës materiale dhe caktimi i komisionerëve është kryer me korrektësi nga ana e komisionit zonal. Ai shtoi se mbrëmjen e të shtunës nga ana e subjektit LSI ka pasur ankesa në lidhje me caktimin e disa komisionerëve, duke kërkuar largimin e tyre. Ndërkohë një situatë e qetë ka shoqëruar zgjedhjet edhe në katër njësitë e tjera vendore, komunën Otllak, Komunën Fierzë, Bashkinë Fushë Arrëz dhe minibashkinë nr. 10 në Tiranë. Në një prononcim për mediat zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli tha se qendrat u hapën në orën 07.00 dhe u mbyllën në orën 18.00, me përjashtim të disa qendrave në Tiranë, të cilat qëndruan të hapura, edhe pas përfundimit të orarit zyrtar derisa votuan të gjithë qytetarët që u paraqitën në kutitë e votimit. h.p