E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vetëm 12 vjeç, grabit nëntë dyqane në gjashtë muaj

16/04/2005  TIRANË- Identifikohet hajduti i mitur i dyqanit të kasetave në “Rrugën e Durrësit”. Nga zëdhënësja e Policisë së Tiranës, Alma Katragjini, mësohet se S.S., 12 vjeç, lindur në Korçë e banues në Tiranë, endacak, ka vjedhur shumën prej 8000 lekë të reja. Të miturit i numërohen të paktën 9 grabitje dhe herën e parafundit ai kreu vjedhjen e një dyqani rrobash në rrugën "Sami Frashëri" në Tiranë. Ai është kthyer në një ferr të vërtetë për inspektorët dhe agjentët e kriminalistikës në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, të cilët, tashmë i kanë kopsitur tetë grabitje, që mbajnë autorësinë e tij dhe disa të tjera janë kryer me anën e një bashkëpunëtori të mitur nga Vlora. Para vjedhjes së dyqanit të rrobave, S.S është shpallur autor i grabitjes së një kioske, ngjarje e ndodhur në datën 29 janar të këtij viti. Nga burime të kriminalistikës mësohet se, tashmë "stili" i tij i vjedhjes është ngulitur mirë në mendjen e tij, pasi ai arrin që, mjeshtërisht, pa dhunë, pa thyerje, të grabisë të gjitha materialet e çmuara që mund të ndodhen në objektet ku ai synon. Në listën e gjatë të vogëlushit që banon sa herë në Tiranë, më pas në Korçë, e më në fund në Elbasan, pasi nuk ka asnjë nga prindërit, përmenden grabitje spektakolare të parukerisë "Beauty", të disa dyqaneve ushqimore etj. Ndërkaq, paradoksi i arrest-lirimit të tij përsëritet një herë në dy a tri ditë, pasi agjentët fillimisht i vënë prangat, mirëpo mosha e tij minorene e favorizon të lirohet menjëherë dhe përgjegjësia t’i kalojë prindërve, të cilët në këtë rast mungojnë. Kështu që deri në krijimin e gjykatës së të miturve, ai do të vazhdojë profesionin, të cilit ia ka marrë dorën më së miri. Hajduti profesionist, sipas burimeve policore, bashkëpunon me një rrjet të madh hajdutësh, të cilët e udhëheqin e në fund i marrin të gjitha materialet e vjedhura.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›