Bashkiakët shembin murin,pronari qëllon fadromistin
Dashamir Biçaku
Policët bashkiakë konfrontohen me pronarin e një ndërtimi që ishte në pritje të legalizimit të banesës nga ALUIZNI. Një fadromist 50-vjeçar mbetet i plagosur nga konflikti me familjen e Dritan Mijës, të cilit bashkia do t’i shembte një sipërfaqe muri. Bashkiakët kanë pretenduar se një sipërfaqe prej disa metrash linear mur ishte ndërtuar pa leje nga Dritan Mija në rrugën “Sali Nivica” në Tiranë. Por pronari i objektit ka pretenduar të kundërtën, duke thënë se gjithçka ai ka ndërtuar ka qenë brenda rregullave. Për më tepër, sipas pretendimit të tij, gjatë shembjes, asnjë prej efektivëve të Policisë Bashkiake, nuk kishte paraqitur një dokument ku paralajmëronte prishjen e sipërfaqes së murit që rrethonte objektin e tij. Ndërkaq Policia Bashkiake, ka pretenduar se objekti ishte duke u prishur me argumentin se ishte ngritur si ndërtim pa leje, duke zaptuar sipërfaqe të lira. Me këtë argument, mesditën e të enjtes një grup i Policisë Bashkiake dhe një fadromë kanë mbërritur në objektin përkatës në rrugën “Sali Nivica”. Fadroma e Policisë Bashkiake, e drejtuar nga Bardhyl Gjata 50 vjeç, është nisur tek objekti që do të prishej në rrugën “Sali Nivica”, pranë tregut elektrik në Tiranë. Mjeti i drejtuar nga 50-vjeçari ka mbërritur në këtë zonë i shoqëruar nga punonjës të policisë bashkiake, duke filluar shembjen e murit të ndërtuar nga Dritan Mija. Ky i fundit, sipas burimeve të policisë, ka nisur të kundërshtojë veprimet e punonjësve të Policisë Bashkiake të cilët “po ndërhynin në një pronë private dhe po vepronin në kundërshtim me ligjin”, sipas pronarit të objektit. Debati ka vazhduar gjatë, ndërsa fadroma është urdhëruar të vazhdojë shembjen e murit sipas urdhrit të dhënë nga bashkia. Pas debateve, palët kanë nisur të konfrontohen dhe të goditen fizikisht mes tyre. Në këtë kohë, sipas policisë, ka reaguar pronari i sipërfaqes së murit. Ai ka goditur me sende të forta punonjësit e bashkisë në gjaknxehtësi e sipër ka goditur fadromistin, i cili ka mbetur i plagosur. Drejtuesi i fadromës është dërguar në Spitalin Ushtarak, ku pas ndihmës së marrë ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe pa probleme serioze. Autori i plagosjes është proceduar penalisht nga Policia e Tiranës ndërsa dosja penale ndaj tij është përcjellë në Prokurorinë e Tiranës për sqarimin e rrethanave të ngjarjes gjatë hetimeve të mëtejshme.
Denoncimi i qytetarit në polici:Bashkiakët më vodhën peshoren
TIRANE- Tri ditë më parë, Policia e Shtetit është gjendur përballë një situate të pazakontë, pas një konflikti mes Policisë Bashkiake dhe një qytetari. Osman Cani me banim në Kamëz, ka njoftuar në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, se Policia Bashkiake e kishte dhunuar dhe më pas atij i kishin vjedhur edhe peshoren. Pas denoncimit në sallën operative, efektivët e patrullës së përgjithshme janë detyruar të shkojnë në adresën e ngjarjes. Qytetari Osman Cani ka pretenduar se punonjësit e bashkisë kishin ushtruar dhunë mbi të. Madje ai ka pohuar se bashkiakët në mënyrë arbitrare i kanë marrë peshoren e tij, që e përdorte si mjet pune. Ankesa e këtij qytetari në polici ka çuditur jo pak efektivët blu, por i ka vënë ata në një pozitë të pazakontë. Për të sqaruar situatën dhe për të shmangur konfliktin, punonjësit e policisë kanë thirrur palët, për të marrë pretendimet e tyre mbi ngjarjen. Pas një debati që ka zgjatur më tepër se gjysmë ore, policia e rendit ka mundur të shuajë konfliktin. Të dy palët janë tërhequr ndërsa nuk kanë depozituar kallëzime në strukturat e policisë. Një situatë tjetër është përsëritur të dielën, kur një person telefonoi në policinë e kryeqytetit me pretendimin se po e rrihnin punonjësit e Policisë Bashkiake. Në disa raste disa qytetarë nuk kanë hezituar të denoncojnë penalisht bashkiakët për përdorim të dhunës dhe kryerjes së veprimeve arbitrare.
Bashkia fajëson Policinë e Tiranës
Bashkia e Tiranës ka akuzuar dje policinë e kryeqytetit, duke pretenduar se ajo ka qenë indiferente në konfliktin e djeshëm dhe nuk ka ndërhyrë. Por burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se ka qenë ndërhyrja e uniformave blu që ka shuar konfliktin ndërsa pas hetimeve policia çoi në prokurori dosjen për autorin e plagosjes.
Telefonata lajmëroi Policinë e Tiranës
Një telefonatë e dëshmitarëve të ngjarjes ka lajmëruar në sallën operative policinë e Tiranës e cila menjëherë dërgoi në vendin e konfliktit, shërbimet e saj të gatshme. Disa persona kanë vënë re konfliktin që po zhvillohej pranë tregut elektrik dhe pasi kanë parë që palët po ushtronin dhunë ndaj njëra-tjetrës kanë lajmëruar në sallën operative duke kërkuar ndërhyrjen e policisë së Tiranës. Uniformat blu fillimisht kanë ndërhyrë për qetësimin e palëve dhe më pas nisën hetimin për rrethanat e ngjarjes.