E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pretenca për trojet, 55 vjet burg ish-krerëve të komunës së Kasharit

 

TIRANE – Prokuroria i ka kërkuar dje Gjykatës së Tiranës shpalljen fajtor dhe dënimin me 55 vjet burg për të pandehurit e dosjes “Kashari”. Në seancën e djeshme në ngarkim të 7 të akuzuarve të kësaj çështjeje për abuzime me pronat në Kashar, 3 prej të cilëve ish-kryekomunarë, prokurori ka lexuar konkluzionet përfundimtare të hetimeve. Me një material voluminoz prej 150 faqesh, prokurori i çështjes i ka referuar gjykatës të gjitha episodet e provuara nga akuza për abuzimet e bëra me trojet në komunën e Kasharit. Sipas pretencës së dhënë, akuza kërkoi shpalljen fajtor dhe dënimin me 12 vjet burg dhe 15 milionë lekë gjobë për Alfred Sulën; 10 vjet burg e 5 milionë lekë gjobë për Ismail Sulën; 9 vjet burg dhe 10 milionë lekë gjobë për Faik Fejzën; 8 vjet burg dhe 6 milionë lekë gjobë për Islam Sherën; 3 vjet burg për Bardhyl Kamberin; 6 vjet burg e 5 milionë lekë gjobë për Shefqet Alikon dhe 7 vjet burg e 6 milionë lekë gjobë për Xhevahir Hykën. Në kërkesat e saj, Prokuroria i kërkoi Gjykatës marrjen parasysh të rrezikshmërisë shoqërore që paraqet një pjesë e të pandehurve me argumentimin se veprat penale të kryera nga të pandehurit cenojnë marrëdhënie të rëndësishme juridike të të dëmtuarve. Gjithashtu Prokuroria kërkoi pezullimin e burgimit dhe lënien e të pandehurit Bardhyl Kamberi në liri në provë për 2 vjet. Kjo, pasi Kamberi ka ndihmuar Prokurorinë gjatë procedimit penal. Të pandehurit e dosjes “Kashari” akuzohen për “korrupsion pasiv nga të zgjedhurit vendore”, “shpërdorim detyre”, “falsifikim të dokumenteve nga personi i cili ka për detyrë lëshimin e tyre” dhe “mashtrim në bashkëpunim”. Ata akuzohen për 23 episode të falsifikimit të dhjetëra dokumenteve mbi pronësinë e trojeve në Kashar, duke shitur tek persona të ndryshëm të njëjtën sipërfaqe toke më shumë se një herë. Tokat me të cilat të akuzuarit dyshohet se kanë bërë pazare, u përkisnin banorëve të zonës dhe të gjitha veprimet janë kryer pa dijeninë e pronarëve të ligjshëm. Sipas Prokurorisë, abuzimi i të pandehurve ka përfshirë një sipërfaqe prej 150 mijë metra katrorë toke me vlerë dëmi 1.5 milionë euro. Të pandehurit janë arrestuar në dhjetorin e vitit të kaluar pas më se 30 denoncimeve për abuzime me pronësitë e trojeve nga banorët e zonës së Kasharit.                      ar.ba

Pretenca e “Kashari”

Alfred Sula        
12 vjet              15 mln gjobë
Ismail Sula            
10 vjet             5 mln gjobë
Faik Fejza        
9 vjet               10 mln gjobë
Islam Shera        
8 vjet               6 mln gjobë
Bardhyl Kamberi     
3 vjet
Shefqet Aliko         
6 vjet               5 mln gjobë
Xhevahir Hyka         
7 vjet              6 mln gjobë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›