“Mësimi në kushte të vështira, duam zgjidhje
Dekanët e Juridikut dhe të Shkencave Sociale kërkojnë zgjidhje permanente për studentët e fakulteteve të tyre. Sipas Skënder Kaçupit dhe Dhori Karajt, ata aktualisht po sorollaten nga një ambient në tjetrin, duke zhvilluar mësimin në kushte mjaft të vështira. “Për të përballuar emergjencën, po shfrytëzojmë ambientet e përzgjedhura nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Por duhet gjetur sa më parë një zgjidhje më e përshtatshme”, theksojnë dekanët. Që prej dy ditëve edhe 1500 studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale janë shpërndarë në ambientet e Kinoklubit të Qytetit “Studenti”, në Fakultetin e Histori- Filologjisë, Shkencave të Natyrës dhe një pjesë te Shkolla e Mesme “Petro Nini Luarasi”. “Shpërndarja e studentëve në këto ambiente është një masë për të mos ndërprerë mësimin. Jemi në pritje të verifikimit të parametrave inxhinierikë të ndërtesës ku zhvillohej mësimi më parë”, tha Karaj. Ndërsa Kaçupi sqaroi se 1500 studentët e Fakultetit të Drejtësisë po vijojnë mësimin të shpërndarë në Kinoklubin e Qytetit “Studenti” dhe një pjesë te Shkolla e Mesme “Petro Nini Luarasi”.S enati i Universitetit të Tiranës (UT) ka vendosur që Fakulteti i Drejtësisë të transferohet në godinën e Kinoklubit të Qytetit “Studenti”. Për këtë është marrë edhe miratimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ndërkohë, MASH i ka kërkuar Ministrisë së Punëve Publike që të caktojë një ekip ekspertësh, që të hartojë një raport ekspertize për të përcaktuar veprimet e mëtejshme, pas të cilave të garantohet veprimtaria normale në fakultetet e Drejtësisë dhe Shkencave Sociale.