E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gorea: Modeli italian, më i miri për Postën Shqiptare

 

Modeli italian është ai që do të merret si shembull nga Posta Shqiptare. Këtë pranon kreu i saj, Arqile Gorea. Fill pas kthimit nga një vizitë 3 ditore në Itali, ai tregon  të rejat që do të sjellë ky shkëmbim eksperiencash.
Zoti Gorea, cili ishte qëllimi i vizitës suaj në Itali?
Në Itali punon dhe jeton një komunitet i madh shqiptarësh, të cilët për asnjë çast nuk i humbasin lidhjet e tyre me Shqipërinë. Në kuadrin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve dhe perspektivës së qartë të bashkëpunimit, dy kompanitë marrin angazhim për t’u shërbyer sa më mirë komuniteteve tona. Shqipëria mund të bëhet një pikë e fuqishme tranziti për shërbimet postare në Ballkan dhe më gjerë. Kjo ishte arsyeja e takimit bilateral, që ne zhvilluam, me qëllim shkëmbimin e eksperiencave mes dy administratave. Posta Shqiptare aktualisht është në procesin e aplikimit të objektivave të caktuara strategjike, në funksion të zhvillimit të teknologjive të reja në fushën e shërbimeve postare dhe financiare, ndaj dhe ne kemi zgjedhur si model zhvillimi Postën Italiane. Në takimin me palën italiane kemi diskutuar problematikat e bashkëpunimit reciprok në lidhje me: IT (Teknollogjinë e Informacionit), rritjen e trafikut postar dhe të pakove me postë tokësore, dhe asistencës teknike dhe juridike në krijimin e Postbankës Shqiptare.
Pse u zgjodh Posta Italiane si model ?
 Nga investigimet tona ka rezultuar se modeli i Postës Italiane në kushte aktuale, ku ndodhemi ne, është më i miri, pasi nga eksperienca e Postbankave të tjera krijuar me kapital privat, me fillimin e aktivitetit të Postbankës janë okupuar asetet dhe është nxjerrë jashtë loje posta. Modeli i saj është modeli i bashkëjetesës midis shërbimit postar dhe atij financiar. Gjatë takimit, drejtuesve të Postës Italiane u konfirmuam faktin se Posta Shqiptare nga një koncept i humbur, është kthyer në një nevojë të klientëve shqiptarë, për të përmbushur kërkesat e tyre për shërbime financiare e postare. Ky është starti i Postës Shqiptare drejt zhvillimeve të reja, për të arritur standardet bashkëkohore dhe ne i kemi vënë si qëllim vetes: rritjen e cilësisë së shërbimit, informatizimin masiv të çdo zyre postare (revolucionarizimi financiar i fshatit dhe zonave rurale). Duke pasur parasysh që Posta Shqiptare kryen shërbimet e bankave të nivelit të dytë, por në dallim nga ato, ka infrastrukturën më favorizuese në tërë vendin, mendojmë se krijimi i Post-Bankës Shqiptare nuk është më një projekt, por është kërkesë e kohës për t’u bërë realitet.
Në ç’pika ratë dakord për të bashkëpunuar me Presidentin  e Postës Italiane, Massimo Sarmi?
Presidenti i Postës Italiane, Massimo Sarmi, e quajti takimin tonë vetëm startin e një bashkëpunimi reciprok mes dy administratave. Ai shprehu gatishmërinë që specialistët e dy kompanive të hartonin platformën mbi fushat e bashkëpunimit, duke organizuar takimet dypalëshe, për të verifikuar më nga afër gjendjen aktuale të Postës Shqiptare dhe përcaktuar drejt fushat e investimit. Zoti Sarmi garantoi mbështetjen e Postës Italiane për projektet e zhvillimit të Postës Shqiptare në kuadrin e bashkëpunimit, jo vetëm mes dy administratave, por dhe dy qeverive.
Kryeministri Silvi Berluskoni iu kishte lënë porosi homologëve tuaj për mbështetje ndaj Postës Shqiptare? A mund të na thoni si ndihemi nga ky përkushtim qeveritar italian?
Nuk ka se si të mos ndihemi mirë, kur shohim dhe përkushtimin e Kryeministrit Italian Silvio Berluskoni, ky mik i shqiptarëve për t’i ofruar ndihmë Postës Shqiptare. Ky fakt na është pohuar nga vet Presidenti i Postës Italiane Massimo Sarmi dhe morëm premtimin se së shpejti do të konkretizohet kjo ndihmë. Po presim të fillojë sa më shpejt bashkëpunimi. Në fillim të vitit pritet të vijnë dhe grupet e para të specialistëve nga Posta e Italisë në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›