Caktohen 5 gjyqtarët e Lulzim Bashës
Armand Bajrami
Shorti me gogla caktoi dje trupin gjykues me pesë anëtarë që do të shqyrtojnë në Gjykatën e Lartë, dosjen penale ndaj ministrit Lulzim Basha dhe ish-drejtorit juridik të Ministrisë së Transporteve, Andi Toma. Shorti caktoi gjyqtarin Spiro Spiro si relator të Kolegjit Penal thënë ndryshe, kryetar i trupit gjykues. Ndërsa anëtarët e tjerë do të jenë Aleksandër Muskaj, Irma Bala, Besnik Ymeri dhe Perikli Zaharia. Përzgjedhja e pesë emrave i ka dhënë fund fazës përgatitore të dosjes që tashmë kaloi në fazën e gjykimit. Ashtu siç ishte vendosur tri ditë më parë, dje në orën 12:30 është zhvilluar hedhja e goglave për të zgjedhur trupën që do të shqyrtojë seancat gjyqësore në ngarkim të ministrit. Të pranishëm në sallë kanë qenë gjyqtarët e Kolegjit të Lartë, kancelari i gjykatës dhe sekretaret, të cilat kanë mbajtur procesverbalin përkatës. Ndryshimi i procedurës së shortit nga elektronik në atë me gogla u vendos të enjten e kësaj jave. Burime zyrtare të Gjykatës së Lartë saktësuan se ndryshimi i procedurës së shortit erdhi pasi në procedurën elektronike, gjyqtarët ishin të ndarë në gjyqtarë për çështje penale dhe në gjyqtarë për çështje civile. Ndërsa shorti me gogla, i aplikuar në përzgjedhjen e djeshme, i ka përfshirë të gjithë gjyqtarët.
Dosja “Basha”
Dosja në ngarkim të ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha dhe ish-drejtorit juridik, Andi Toma, mbërriti në Gjykatën e Lartë në 5 dhjetor të këtij viti. Ata akuzohen nga Prokuroria e Përgjithshme për “shpërdorim të detyrës” dhe “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera” gjatë tenderimit për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës. Në kërkesën për gjykim të Prokurorisë thuhet se dy të pandehurit kanë bërë shkelje në përzgjedhjen e firmës supervizore dhe pagesat për çmimin e artikujve të përdorur në ndërtim. Sipas akuzës, shefi i diplomacisë shqiptare ka paraqitur rrethana të rreme në projektvendimet e dërguara për miratim në Qeveri. “Këshillit të Ministrave i janë paraqitur rrethana të rreme në lidhje me nevojën e përzgjedhjes së një konsulenti ndërkombëtar”, thuhet në kërkesën për gjykim. Po aty përmendet edhe se “argumentet e paraqitura nga ministri Lulzim Basha dhe drejtori i Shërbimeve Juridike në ministri, Andi Toma, për nevojën e një konsulenti të huaj dhe realizimin e një prokurimi të drejtpërdrejt me të, në relacionin e paraqitur Këshillit të Ministrave kanë qenë të rreme”.
Gjyqtarët e dosjes “Basha”
Spiro Spiro
Aleksandër Muskaj
Irma Bala
Besnik Ymeri
Perikli Zaharia
Kush janë gjyqtarët që do gjykojnë Bashën
TIRANE – Në emrat që shorti me gogla zgjodhi dje si gjyqtarë për shqyrtimin e dosjes ndaj ministrit Basha, Spiro Spiro është caktuar relator apo kryesues i pesëshes. Gjyqtari Spiro Spiro, në vitin 2004 ka marrë pjesë në trupin gjykues që shqyrtoi kërkesën e Parlamentit për heqjen e imunitetit të deputetit Nikollë Lesi, pas një padie që bashkëshortja e Kryeministrit Nano bëri ndaj deputetit demokristian në atë kohë. Një tjetër gjyqtar që do të shqyrtojë çështjen Basha është Aleksander Muskaj, i dekretuar në detyrë nga Presidenti Topi, por para kësaj objekt kontrolli i Ministrisë së Drejtësisë, pasi rezultonte se ishte një nga 12 gjyqtarët e Tiranës, që kishte zbardhur me vonesë vendimet e dhëna prej tij, konkretisht për 6 muaj e 21 ditë. Anëtari tjetër i trupit gjykues, Besnik Ymeri, ka marrë pjesë në pritjen dhe organizimin e vizitës së Kryeprokurorit të Antimafias italiane, Pier Luigi Vigna, zhvilluar në Tiranë në vitin 1997, ndërsa gjyqtari tjetër Perikli Zaharia është penalist dhe pedagog në disa universitete. tr.so