Trafikimi, 34 vjet burg për djalin dhe babain
TIRANE – Babë e bir do të qëndrojnë 34 vjet në burg nëse gjykata pranon kërkesën e prokurorisë për dënimin e tyre. Organi i akuzës dha dje pretencën për masën e dënimit ndaj të pandehurve Astrit dhe Negler Pata, për akuzën e “trafikut e qenieve njerëzore” dhe “shfrytëzim prostitucioni”. Prokuroria kërkoi dje shpalljen fajtor dhe dënimin me 18 vjet burg për Astrit Patën dhe 16 vjet burg për Negler Patën. Përveç dënimit në vite me burg pala e akuzës kërkoi nga gjykata edhe gjobitjen me nga 7 milionë lekë për dy të pandehurit. Në seancën e djeshme të pandehurit përfaqësoheshin nga mbrojtësit e tyre ligjorë. Ngjarja për të cilën akuzohen babë e bir ka ndodhur në vitin 2004. Sipas Prokurorisë, Astrit Pata duke i premtuar martesë një vajze nga Gjirokastra e ka kaluar atë për në Greqi. Në vijim me anë të dokumenteve të falsifikuara e kanë dërguar në Norvegji. Sipas dëshmisë së dhënë nga vetë e dëmtuara përpara gjykatës, në Norvegji ajo është shfrytëzuar si prostitutë nga babë e bir. Periudha e shfrytëzimit të saj ka zgjatur rreth një vit e gjysmë dhe gjatë kësaj kohe të gjitha të ardhurat kalonin për llogari të Patajve. Pasi kishte kaluar këtë periudhë, ajo është ndihmuar nga një klient i saj, i cili ka lajmëruar policinë. ar.ba