Vrasja në burg e gruas së rrëmbyer, kapet pengmarrësi
TIRANE - Ekstradohet nga Greqia, i kërkuari për rrëmbimin dhe mbajtjen peng të Thëllëza Muçës, (gruas së vrarë nga bashkëshorti në burgun e Peqinit pak muaj më parë). Mihal Shkëmbi, 37 vjeç i ekstraduar në Tiranë pas kapjes në Greqi, akuzohet se veç Thëllëza Muçës ka rrëmbyer edhe vajzën e saj në Pogradec. I kërkuari nga Korça është rikthyer në Shqipëri më tepër se një vit pasi ka rrëmbyer bashkëshorten e kushëririt të tij Mynir Muça. I akuzuari Mihal Shkëmbi, është shpallur në kërkim me masën e arrestit në mungesë për rrëmbimin e Thëllëza Muçës dhe vajzës së saj të mitur. Ngjarja ka ndodhur më 11 shtator të vitit të kaluar në Pogradec, ku sipas policisë Mihal Shkëmbi bashkë me Adriatik Zenullarin dhe një person tjetër të paidentifikuar kanë rrëmbyer pranë stacionit të autobusëve në Pogradec, Thëllëzën me të bijën. Të dyja ato janë dërguar në shtëpinë e Mihalit në fshatin Drenovë të Korçës. Disa ditë më vonë, gruaja ka mundur të lidhë dy çarçafë dhe me to ka mundur të zbresë nga dritarja e të largohet bashkë me të bijën duke u rikthyer në shtëpinë e saj. Edhe pse gruaja mundi të shpëtonte nga rrëmbimi i kushëririt të burrit të saj, ky episod u kthye në shkakun e tragjedisë në familjen e saj. Bashkëshorti i të dëmtuarës ishte arrestuar më parë nga policia, pasi në bashkëpunim me persona të tjerë, kishte plagosur shefin e Krimeve të Komisariatit të Pogradecit. Për këtë krim, bashkëshorti i saj u arrestua nga policia duke u dënuar me 25 vite burg për krimin e vrasjes së mbetur në tentativë në rrethana, për shkak të detyrës dhe në krye të detyrës. Vetë Muniri, duhej të vuante 25 vite burg, ndërsa kishte dy vajza të mitura. Pas dënimit të Mynirit dhe rrëmbimit të gruas së tij ata u ndanë. Në verën e këtij viti, Mynir Muça kërkoi një takim në burg me gruan që ishte rrëmbyer nga i ekstraduari i djeshëm. Pasi u ndodhën vetëm në dhomën e takimeve speciale, bashkëshorti i Thëllëza Muçës vrau të shoqen me një kabëll elektrik ndërsa më pas të njëjtën gjë bëri edhe ndaj vetes. Më parë, sipas hetimit, ai kishte më tepër se një muaj që i lutej së shoqes ta takonte edhe një herë në burg. Ekstradimi i kushëririt të Mynir Muçës nga Greqia, mund të sqarojë disa nga rrethanat e kësaj historie misterioze që përfundoi tragjikisht me dy viktima dhe la jetimë fëmijët e çiftit Muça. da.bi