E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkiakët sherr me “gabin”

• Policia Bashkiake “përleshet” me “gabi”-n në Durrës. Mëngjesi i së mërkurës ka qenë i tensionuar për tregtarët e trotuareve që shesin në anë të ish-Fabrikës së Bukës, të cilët kanë kundërshtuar efektivat e Policisë Bashkiake që synonin t’i dëbonin ata.DURRES/ OERD ULQINI Thirrjes së policisë vendore për të lëshuar trotuaret, shitësit e rrobave të përdorura i janë përgjigjur duke i hedhur njerëzve me uniformë mallrat që shisnin. Në këtë zonë shesin prej kohësh mbi 80 ambulantë që nuk janë të pajisur me licencë. Pas këtij konfrontimi tregtarët e rrobave të përdorura si dhe shitësit e tezgave kanë protestuar përpara dyerve të pushtetit vendor të Durrësit. Tubimi i tyre gjeti përkrahje edhe nga tregu industrial i qytetit, në të cilin shesin çdo ditë mbi 300 biznese të vegjël. Shitësit ambulantë të licencuar ankohen prej kohësh për taksa dhe qira të larta si dhe për mungesën e kushteve më elementare për tregtim. Ndërsa tregtarët informalë protestuan duke thënë se “Bashkia po i ndërpret edhe bukën e gojës”. Departamenti i Tatim-Taksave në Bashkinë e Durrësit ka bërë me dije se largimi i tregtarëve nga trotuaret është bërë për të luftuar informalitetin. Për të zgjidhur shqetësimet e shitësve ambulantë të tregut industrial dhe të “gabi”-t, në Durrës ka nisur punën një tryezë e rrumbullakët, pjesë e së cilës janë bërë titullarë të lartë të qeverisë, bashkisë dhe prefekturës, por deri tani kjo “Task Force” nuk ka gjetur formulën e pranueshme nga të gjitha palët që përbëjnë biznesin e vogël të qytetit. Nga njëra anë, tregtarët e licencuar ankohen se duhet të paguajnë taksa të larta shtetit dhe qira të shtrenjtë pronarit të truallit, kur ka rënë fuqia blerëse. Ndërsa nga ana tjetër, një pjesë e tregtarëve ambulantë po shesin në mënyrë të jashtëligjshme, duke iu shmangur totalisht procesit të regjistrimit në zyrën e taksave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›