E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarr pranë shkollës, evakuohen nga mësimi nxënësit e shkollës “Çajupi”

• TIRANE - Zjarr pranë shkollës së mesme “Andon Zako Çajupi” në Tiranë. Evakuohen përkohësisht nxënësit dhe ndërpritet mësimi nga frika e përhapjes së zjarrit në shkollë.Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në gjimnazin e njohur me emrin “Çajupi”, kur flakët e zjarrit ranë në ambientet e një lokali pranë shkollës. Zjarri ka marrë në banakun e lokalit, ku përgatiten ushqime të shpejta dhe që iu shërbehen nxënësve të shkollës. Shkaku i ngjarjes mësohet se ka qenë aksidental, për shkak të rënies së një sasie të vajit mbi flakët e sobës së gazit, që shërbente për të përgatitur ushqimet. Zjarri është ndihmuar edhe nga gazi dhe menjëherë lokali është gjendur në flakë. Policia e Komisariatit nr.4, ka mbërritur në gjimnazin e shkollës, për të ndihmuar në shuarjen e tij. Ndërkaq zjarrfikëset e degës së Kinostudios, kanë mbërritur aty për të shuar flakët e zjarrit që kishte nisur të digjte lokalin. Fillimisht policia ka nisur të evakuonte nxënësit dhe personelin e shkollës që kishin pak kohë që kishin nisur mësimin. Ata janë larguar jashtë ambienteve të shkollës, pasi shtrirja e zjarrit fillimisht ka qenë e menjëhershme dhe e shpejtë. Flakët kanë nisur të përhapen me shpejtësi në drejtim të shkollës, ndërsa zjarrfikëset kanë ndërhyrë duke e izoluar atë. Pas më tepër se 40 minutash, efektivët e zjarrfikësve kanë mundur të shuajnë zjarrin që ka rrezikuar të përfshijë dhe shkollën. Pas shuarjes, ekspertët kanë vënë re se zjarri ka qenë aksidental I ardhur nga banaku. Punonjësja e lokalit është shoqëruar nga policia për t’u pyetur dhe më pas është lënë e lirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›