E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkim Hoxha: “Lufta për kutitë, politika shqiptare ka harruar detyrat e shtëpisë”

Autori i Lajmit: S. Topi

Bashkim Hoxha, gazetar dhe shkrimtar

Ashton ka deklaruar dje se liberalizimi i vizave kërkon realizim të reformave. Ndërkohë që kryesocialisti Rama ka kërkuar në Strasburg mbështetje për këtë proces. Janë në sinkron këto deklarata me njëra-tjetrën?
Unë kam përshtypjen se ka një konfuzion në kuptimin e proceseve integruese. Duhet ta pranojmë se integrimi, vizat e çështje të tjera që kanë të bëjnë me aspiratën për tu përfshirë në rrjedhat evropiane, më shumë sesa në duart e të huajve janë në duart tona. Integrimi dhe vizat nuk janë dhuratë. Integrimi dhe benificet që vijnë prej tij janë të lidhura me realizimin e standardeve nga vetë ne shqiptarët. Ndaj lutja e Ramës në Strasburg, më shumë se sa me efekte tek të huajt, është një adresim që u bëhet shqiptarëve për të thënë se ai është pro liberalizimit të vizave pas akuzave të bëra nga eksponentë të mazhorancës se Rama dhe PS pengon heqjen e vizave. Si në shumë gjëra të tjera edhe në këtë aspekt ka shumë folklor në politikën shqiptare. Politika shqiptare, nëse i dëshiron vizat, duhet të ndjekë atë që nënvizon Ashton: reformat për të arritur standardet e kërkuara. Vizat dhe integrimi duhen merituar. Më shumë se sa lutje në Strasburg, lideri i opozitës do të bënte mirë të çonte opozitën në ato standarde që kontribuojnë realisht për integrimin, duke hequr dorë nga lufta ekstraparlamentare dhe duke e çuar politikën shqiptare në rrjedhat logjike e normale të një politike konstruktive.
Për herë të parë kreu i PS-së, po me aq forcë sa kërkon transparencën e zgjedhjeve, kërkon dhe mbështetje për vizat. Është kjo një strategji e re për të fituar më shumë besim te ndërkombëtarët apo kryesocialisti në këtë mënyrë pranon reformat e bëra nga PD?
E thashë edhe më lart, duket se Rama nuk u flet të huajve në këtë rast. Ai përpiqet ti bindë shqiptarët se nuk është kundër heqjes së vizave. Lufta e brendshme politike që kësaj radhe ka zgjedhur si argument vizat, edhe në këtë rast, si shumë raste të tjera, i zgjeron kufijtë, duke u bërë para syve të të huajve. Unë lus momentin kur politika shqiptare do
të krijojë qarkun e shkurtër të komunikimit me vetë shqiptarët, pa qenë nevoja ti bihet larg e larg nëpërmjet antenave të të huajve. Është e vërtetë që shqiptarëve u bëjnë përshtypje deklaratat e të huajve dhe po aq e vërtetë është se ka shumë spekulime me to. Është një mendësi e vjetër provinciale që i lë punët pa zgjidhur, sepse standardet të huajt na i mësojnë e verifikojnë, por për ti krijuar duhet ti krijojë vetë politika shqiptare. Për këtë opozita ka një rol të rëndësishëm, që e ka kufizuar shumë duke mbetur e fiksuar vetëm tek çështja e kutive.

Kryesocialisti Rama ka deklaruar se dy çështjet e rëndësishme janë transparenca e zgjedhjeve nëpërmjet hapjes së kutive dhe liberalizimi i vizave. Janë të së njëjtës rëndësie këto dy çështje për shqiptarët?
Standardet nënkuptojnë edhe zgjedhje të lira e të ndershme dhe vërtetimin e tyre, por ka edhe shumë detyra të tjera shtëpie që fokusuar vetëm tek kutitë, politika shqiptare i ka harruar. Detyra kryesore është zhdukja e varfërisë, funksionimi i institucioneve ku edhe
institucioni i zgjedhjeve është përfshirë, është impenjimi i shoqërisë për një sistem të shëndetshëm të gjykatave, është lufta kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar etj., për të cilat politika duhet të krijojë një front të përbashkët, duke krijuar klimën e nevojshme të unifikimit të përpjekjeve të shoqërisë, jo në kërkim të fajtorit të njëanshëm. Për të gjitha këto detyra të lëna në harresë pas obsesionit të kutive, gjithë spektri politik shqiptar ka përgjegjësi për tu dhënë përgjigje. Detyrat e shtëpisë janë për të gjithë shoqërinë. Që të meritojmë lëvizjen e lirë, duhet të ulemi të gjithë e ti zgjidhim detyrat e shtëpisë si nxënës të mirë, pa kapriçio dhe pa luftuar se kujt i takojnë meritat.
Ky lajm është publikuar: 12/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›