E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Yzeiri: “Reformat e PD-së na lanë jashtë dyerve të Evropës”

Autori i Lajmit: S. Topi

Ilir Yzeiri, analist

Ashton ka deklaruar dje se liberalizimi i vizave kërkon realizim të reformave. Ndërkohë që kryesocialisti Rama ka kërkuar në Strasburg mbështetje për këtë proces. Janë në sinkron këto deklarata me njëra-tjetrën?
Liberalizimi i vizave, lëvizja e lirë e shqiptarëve, ka qenë dhe mbetet sot e gjithë ditën një nga ëndrrat më të mëdha dhe politikanët tanë nuk mund të luajnë me këtë ndjeshmëri kaq të madhe. Partia Demokratike lindi si një forcë që do ta çonte vendin në Evropë, por, për fat të keq, rruga drejt kontinentit të vjetër dhe lëvizja e lirë u ngadalësua dhe po vonohet për shkak të Partisë Demokratike, sepse mjaft të sjellim në mend vitin 1997 dhe do të bindemi se kriza e piramidave, po të ishte menaxhuar e drejtuar më mirë, nuk do të kishte sjellë luftën civile që na shkaktoi jo pak, por me mijëra të vrarë dhe në solli kaskat blu në mes të ditës e të natës. Ardhja e dytë e Berishës në krye të qeverisë ishte zhgënjimi më i madh që kam pasur jo vetëm unë, por shumë nga ata që e kanë njohur nga afër dhe kanë bashkëpunuar me të. Është e paimagjinueshme se si u transformua opozitari karizmatik dhe idelaist në një Arsen Lupen modern, në një njeri që me abuzimin me pushtetin dhe me korrupsionin që ka nxitur, i ka kaluar të gjitha rekordet. Klika që sot na qeveris, po e plaçkit vendin tonë me shpejtësi marramendëse dhe imazhi i Shqipërisë është në pikën e tij më të ulët. Berisha dhe klika e tij i zhgënjyen partnerët tanë më 29 qershor, atëherë kur ata i vodhën votat e shqiptarëve, ndaj edhe liberalizimi i vizave me këtë qeveri është i vështirë të bëhet. Ndërsa Edi Rama është koherent me vetveten. Ai nuk u ka asnjë borxh shqiptarëve. Ai ka qenë gjithmonë në krah të reformave që janë kryer në këtë vend. Ndaj edhe sot, nëse bashkësia evropiane do të angazhohet seriozisht për të ndërmarrë procesin për liberalizimin e vizave, këtë do ta bëjë se ka garancinë që në mos sot, nesër shqiptarët do të çlirohen nga klika e Sali Berishës dhe Edi Rama është një garanci që Shqipëria të evropianizohet. Më lejoni të deklaroj edhe një gjë të fundit: cilido të vijë në pushtet pas Sali Berishës, është më mijëra herë garanci për evropianizimin e vendit, nga që Berisha nuk gëzon më asnjë mbështetje as në Evropë, as në SHBA, ai vetëm lobon në mënyrë aspak transparente me evropianë të tipit Grossruck.

Për herë të parë kreu i PS-së, po me aq forcë sa kërkon transparencën e zgjedhjeve, kërkon dhe mbështetje për vizat. Është kjo një strategji e re për të fituar më shumë besim te ndërkombëtarët apo kryesocialisti në këtë mënyrë pranon reformat e bëra nga PD?
Jo nuk ka asnjë lidhje. Ju thashë edhe më lart, reformat e PD-së na lanë jashtë dyerve të Evropës. Reformat e PD-së janë Gërdeci, përmbytjet, privatizimet skandaloze të Armo-s e OSSH-së, vënia nën kontroll e gjyqësorit etj. Kulmi ishin zgjedhjet që, në rastin më të mirë, po i quajmë problematike, zgjedhje si në Gabon, si në Iran apo në ndonjë vend tjetër të Afrikës. Këto janë reforma? Jo. Këto janë përpjekje për ta sunduar e grabitur këtë vend dhe për ta zhytur në këtë krizë, që ju vetë dhe ne të gjithë jemi dëshmitarë. Të mos harrojmë dhe kontrollin e medieve dhe favorizimet klienteliste që nuk i kishim njohur më parë. Mos harroni edhe fjalorin ndotës që ai ka përdorur për të sulmuar biznesmenë e botues, thjesht kundërshtarët e tij politikë. Me mbështetjen që po jep, Rama po shpall edhe një herë tjetër se është një politikan vizionar që nuk ngatërron betejat e tij politike me ëndrrën e madhe të shqiptarëve që është lëvizja e lirë.

Rama ka deklaruar se dy çështjet e rëndësishme janë transparenca e zgjedhjeve nëpërmjet hapjes së kutive dhe liberalizimi i vizave. Janë të së njëjtës rëndësie këto dy çështje për shqiptarët?
Duket se nuk ka asnjë lidhje, sepse vetëdija e lodhur e shqiptarëve ka arritur në atë pikë sa nuk duron më të ngarkohet me beteja e me luftëra për të drejtën e votës. Shqiptarët nuk janë një popull që dinë ta përdorin mirë pushtetin e tyre. Ne jemi një popull emfatik dhe kur votojmë, nuk delegojmë arsyen, por emocionin, militantizmin tonë. Sapo mbaron votimi ne nuk kujtohemi më të pyesim se çu bë me pushtetin tonë, me votën që deleguam. Neve na mjafton që lideri ynë ta mundë e ta shfytyrojë liderin kundërshtar. Këtë cilësi arkaike e njeh mirë Berisha dhe luan me emocionet e shqiptarëve. Si ka mundësi që në Iran studentët protestojnë dhe deri edhe vriten për votën e lirë, për kutitë, ndërsa në Shqipëri dëgjon se kjo nuk është edhe aq ndonjë çështje që kërkon sakrificë. Edi Rama nuk duhet të heqë dorë nga kërkesa për të bërë transparencën e zgjedhjeve. Ndërkaq ai bën mirë që mbështet edhe përpjekjet për liberalizimin e vizave.
Ky lajm është publikuar: 12/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›