E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezear Xhaxhiu: “Kryesocialisti të kërkim të besimit të ndërkombëtarëve”

Autori i Lajmit: S. Topi

Rezear Xhaxhiu, drejtues i emisionit “Zip”

Cathrine Ashton ka deklaruar dje se liberalizimi i vizave kërkon realizim të reformave. Ndërkohë që kryesocialisti Rama ka kërkuar në Strasburg mbështetje për këtë proces. Janë në sinkron këto deklarata me njëra-tjetrën?
Nuk do të shikoja ndonjë sinkronizim të qëndrimeve, madje janë dy rrugë të ndryshme të paktën sipas koncepteve evropiane të liberalizimit të vizave dhe të procesit të anëtarësimit. Për Brukselin, të paktën në këto 10- 15 vitet e fundit, reforma do të thotë një bashkëpunim serioz mes opozitës dhe pozitës në Shqipëri, do të thotë një reformim i sistemit të drejtësisë një frymë bashkëpunimi në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, do të thotë një jetë e shëndoshë politike dhe parlamentare. Nuk mund tu thuash evropianëve në shtëpinë e tyre na prano në shtëpinë tuaj, na lehtëso lëvizjen e njerëzve tanë, por me kushtet tona, pra me një destabilizim permanent politik me mosnjohje të institucioneve apo me një gjysmë njohje të tyre, me skenarë dhe shkopinj nëpër rrota që një herë i vë mazhoranca opozitës dhe në një rast tjetër kjo e fundit shumicës. Vështirë është të gjendet një sinkronizim për dy koncepte tërësisht të kundërta të ndërtimit të shtetit ligjor. Dhe zoti Rama e di mirë këtë, po ishte i detyruar të këmbëngulte në deklaratat e tij për liberalizim të vizave, edhe pse tentoi të bindte evropianet në drejtësinë e kauzës së tij.

Për herë të parë kreu i PS-së, po me aq forcë sa kërkon transparencën e zgjedhjeve, kërkon dhe mbështetje për vizat. Është kjo një strategji e re për të fituar më shumë besim te ndërkombëtarët apo kryesocialisti në këtë mënyrë pranon reformat e bëra nga PD? Nuk e kuptoj se cilat reforma të mazhorancës mund të pranonte dhe ti quante të suksesshme PS, atë të SHISH apo reformat në drejtësi, atë të administratës civile apo reformat në arsim e më tej. Ne jemi dëshmitarë, sikundër kemi qenë të tillë edhe kur zoti Berisha ishte në opozitë dhe minonte çdo tentativë të Ekzekutivit të majtë për ecjen drejt reformave të kërkuara nga evropianët. Nëse do të ndodhte e kundërta, prej kohësh ne do ti shihnim tani duke lëvizur në Evropë dhe prej kohësh do të ishim shumë më pranë saj. Ja pse qëndrimi i Ramës në Bruksel ishte më shumë një strategji e lexueshme për të fituar kredi në sytë e deputetëve evropianë si një opozitë evropianiste. Të mos mendojmë se zoti Rama do të shkonte në Bruksel dhe do të kërkonte hapur mosliberalizimin e vizave apo qoftë edhe me gjysmë zëri. Vizat për shqiptarin e majtë e të djathtë, për një militant socialist apo për një komisioner demokrat, për ata me ose pa parti, janë një atu të cilën nuk mund tia sulmojë kush e jo me të shprehet kundër saj. Rama e di këtë, ndaj dhe luajti fort me këtë kartë, madje do të vijojë të luajë edhe në të ardhmen për çdo gjë që ka lidhje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me çështjen e vizave apo me afrimin e Shqipërisë drejt Evropës. Me çfarëdo çmimi nuk do ta bënte të kundërtën, pasi do të ecte në një tokë të minuar.

Rama ka deklaruar se dy çështjet e rëndësishme janë transparenca e zgjedhjeve nëpërmjet hapjes së kutive dhe liberalizimi i vizave. Janë të së njëjtës rëndësie këto dy çështje për shqiptarët?
Për një shoqëri normale hapja e kutive duhej të ishte kryeshqetësimi dhe ulërima e parë dhe e fundit që ajo duhej të lëshonte nga mëngjesi deri në darkë. Arsyet dihen. Dhuna ndaj votës do të thotë të ndërtosh një shtet të gënjeshtërt dhe një mazhorancë mbi mashtrimin. Por, fatkeqësisht, për ne tani çështja e liberalizimit mbetet sensibiliteti më i prekshëm i shqiptarit dhe, ndoshta, jo rastësisht, mbi këtë ndjeshmëri po luhet një teatër i ndyrë dhe i gënjeshtërt. Njerëzit duhet ta dinë se vendimi për heqjen e vizave është një vendim politik i Brukselit dhe ai do të vijë, në mos në korrik, në dhjetor. Por klounët tanë të politikës paturpësisht vijojnë të luajnë dhe të xhonglojnë keq për një çështje të tillë pikërisht duke u mbështetur tek etja e shqiptarit për të lëvizur lirshëm drejt një bote të lirë që i takon dhe që e meriton. Është shumë trishtuese kur shikon dordolecë politikë apo shtetarë të lodhur të përsërisin se u arrit kjo fitore apo u krye kjo reformë, të cilat, sipas tyre, janë meritë e mazhorancës dhe se po na afrojnë me heqjen e vizave. Një maskaradë e vërtetë nga e cila do të shpëtojmë një herë e mirë ditën që do të mbërrijmë në aeroportin e parë evropian pa viza e me dinjitet. Por jo për meritë të këtyre tanëve.

Ky lajm është publikuar: 12/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›