E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Nikolla: “Deklarata e Ramës për lëvizjen e lirë pas dështimit të politikës antiviza”

Autori i Lajmit: S. Topi
Ilir Nikolla, kryeredaktor i gazetës “55”

Cathrine Ashton ka deklaruar dje se liberalizimi i vizave kërkon realizim të reformave. Ndërkohë që kryesocialisti Rama ka kërkuar në Strasburg mbështetje për këtë proces. Janë në sinkron këto deklarata me njëra-tjetrën?
Më duhet të sqaroj në fakt se deklarata e Cathrine Ashton specifikonte se kërkohej liberalizimi i vizave për të nxitur reformat në vendet e Ballkanit Perëndimor, çka do të thotë se procesi i heqjes së vizave po kryhet menjëherë dhe interpretohet si bonus në këtë stad reformash të Ballkanit Perëndimor. Pra ska asnjë tendencë që ky proces të marrë natyrën e parakushtit apo të kushtit që i vihet Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës apo në një të ardhme edhe Kosovës. Procesi i liberalizimit të vizave është një proces kryekëput i natyrës teknike tashmë dhe e gjithë “harta e rrugës” që ka shoqëruar reformat e qeverisë shqiptare në këtë drejtim (veçanërisht të Ministrisë së Brendshme, si ministria kryesore e linjës), është certifikuar nga disa ekipe ekspertësh të Komisionit Evropian. Deklarata e Cathrine Ashton sbën gjë tjetër veçse i jep një vlerë shtesë vendimit të afërm për heqjen e vizave për shqiptarët, shtesën e optimizmit se ky vendim do të jetë edhe një shtysë tjetër për përshpejtimin e reformave në vendet e Ballkanit Perëndimor. Sa për deklaratat e fundit të Edi Ramës, ato janë si kofini pas të vjelave dhe në veshët e perëndimorëve vlerësohen si të papërtypshme, meqenëse deri më tash, Edi Rama ka dërguar në kancelaritë perëndimore vetëm kasnecë që çonin mandatën se shqiptarët sjanë të gatshëm që të lëvizin lirisht në Evropë. Tani që kjo fushatë e zezë është marrë vesh se spati sukses, Edi Rama përpiqet të lajë duart si Ponc Pilati, duke u thënë ndërkombëtarëve se fjalët e zeza kundër shqiptarëve skanë pasur bekimin e tij. E cilësoj si një kthesë të detyruar politike, e cila sdo ti sjellë lidershipit të PS kurrfarë përfitimi politik e as rritje të profilit të saj në arenën ndërkombëtare.

Për herë të parë kreu i PS-së po me aq forcë sa kërkon transparencën e zgjedhjeve kërkon dhe mbështetje për vizat. Është kjo një strategji e re për të fituar më shumë besim te ndërkombëtarët apo kryesocialisti në këtë mënyrë pranon reformat e bëra nga PD?
E thashë pak më lart në mënyrë përmbledhëse se sdo të nxirret ndonjë përfitim nga ndryshimi “a posteriori” i qëndrimit të PS për vizat. Them “a posteriori”, pasi tashmë njerëzit e politikës dhe të mediave e kanë marrë vesh se ky vendim është i pakthyeshëm dhe do të merret para mbarimit të presidencës spanjolle. Përpjekja e Edi Ramës për të mos u shfaqur si një pengesë në rrugën drejt përfitimit të lëvizjes së lirë është një përpjekje për konsum të brendshëm, që tu thotë nesër shqiptarëve se, formalisht, edhe e majta ka pjesën e vet të meritës në këtë arritje të madhe të vendit. Këtë arsyetim kam frikë se se beson as e ëma e Edi Ramës, as e shoqja e Ditmir Bushatit e as fëmijët e Arta Dades, megjithatë lidershipi i PS-së ka të drejtën e vet natyrore të kapet si i mbyturi pas fijes së barit, edhe pse qytetërimi ka dhjetëra mijë vjet histori që vërteton se fatkeqi ska gjasa tia dalë në breg, duke kalëruar atë fije.

Rama ka deklaruar se dy çështjet e rëndësishme janë transparenca e zgjedhjeve nëpërmjet hapjes së kutive dhe liberalizimi i vizave. Janë të së njëjtës rëndësie këto dy çështje për shqiptarët?
Testimet politike lidhur me vendimin për heqjen e regjimit të vizave për shqiptarët janë përfunduar me kohë dhe Shqipëria ishte futur në listën e bardhë të Shengenit para shumë muajsh dhe pritej vetëm testimi i kushteve teknike që kërkoheshin për dokumentet e identifikimit. Shqipëria tashmë e ka fituar edhe këtë betejë dhe pritshmëria ka vetëm rëndësi formale. Po kaq formale është edhe përpjekja për binjakëzimin e dy temave të mësipërme. Edi Rama kërkon të nxjerrë përfitime politike duke bashkuar dy gjëra të pabashkueshme. Çështja e vizave ka qenë një çështje jetike për shqiptarët dhe të gjithë kemi të drejtë ti gëzohemi asaj, ndërkohë që çështja e zgjedhjeve dhe e votës së lirë është gjithashtu e një rëndësie kapitale dhe ndoshta edhe më e rëndësishme sesa ajo e lëvizjes së lirë në vendet e hapësirës Shengen. Por këtë testim gjithashtu e kaluam më 28 qershor dhe “notën e mirë” e morën edhe nga arbitri ndërkombëtar. Hileja qëndron tek binjakëzimi i lëvizjes së lirë me kërkesën për hetim, një kërkesë që ka fort natyrë procedurale, që futet në suazat e rregullores së Parlamentit dhe që po merr drejtim pikërisht atje. “Ngritja e pazarit” në ligjërimin politik të Edvin Ramës është shenjë e një dëshpërimi që po kaplon lidershipin socialist, dëshpërim që duket se do të sjellë në një shpërthim politik, por që do të konsumohet ekskluzivisht në strukturat e brendshme, ndoshta përpara sesa të vijmë tek përcaktimi i kandidaturave për zgjedhjet e ardhshme vendore.

Ky lajm është publikuar: 12/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›