E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkim Shehu, kandidati shqiptar për “Ballkanika”

 

Nëse një vit më parë shkrimtari Ylljet Aliçkaj, do të prezantonte Shqipërinë në festivalin e përvitshëm “Ballkanika”, kësaj here, juria ka përzgjedhur veprën e Bashkim Shehut për të konkurruar në të. Në konkursin letrar për romanin më të mirë të Ballkanit për këtë vit, nga Shqipëria konkurron “Angelus Novus”, një roman i autorit shqiptar të botuar dy vjet më parë. Kritika dhe shtypi e kanë vlerësuar si një nga veprat, që ngjalli interes dhe diskutime në rrethe intelektuale dhe është nga veprat më të shitura gjatë kësaj periudhe. Ky kandidim nga vendi ynë, për këtë konkurs, fituesi i së cilës do të shpallet në datën 5 tetor, është përzgjedhur nga një juri e përbërë nga emra të njohur të botës së letrave, si Jorgo Bulo, Pirro Misha, Diana Çuli dhe Ylljet ALiçkaj. Kjo vepër e Shehut, aktualisht ndodhet në proces botimi në Amerikë dhe në Francë. Për festivalin që organizohet në Shkup të Maqedonisë, veprat dhe autorët janë propozuar prej kohësh, ndërsa këto ditë juria e përbërë nga një anëtar, nga secili vend, po shqyrton prej kohësh veprat. Në ceremoni, veç anëtarëve të jurisë, autorëve kandidatë dhe botuesve organizatorë, do të jenë të pranishëm personalitetet më të njohur të jetës kulturore në Maqedoni dhe personalitetet më të larta të jetës politike të këtij vendi, përfshirë edhe presidentin e Maqedonisë, nën kujdesin e të cilit zhvillohet kjo veprimtari. Ndërkaq, shpërblimi për fituesin në këtë edicion të “Ballkanika”-s, përveç “Diploma e Nderit”, një distinktiv me simbolin e “Ballkanika”-s, çmimi shoqërohet edhe një nga vlerë financiare prej 5.000–10.000 euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›