Sidran: “Shqipen e njoha falë Mirandës”
Edhe pse pas tre by pass-esh, nuk ka nguruar të marrë rrugën për në Shqipëri. Shkrimtari boshnjak, Abdulah Sidran, ka mbërritur dje në Tiranë, ku për herë të parë, do të vihet në skenë edhe një nga veprat e tij. “Në zvornik kam lënë zemrën”, premiera e së cilës do të shfaqet sot në ambientet e Akademisë së Arteve, e vënë në skenë nga regjisorja italiane Frederika Restani. Vjen për herë të parë në Shqipëri, por me shqipen dhe vendin e shqiponjave është njohur herët. Vajza e tij, e quajtur Miranda, është rritur nga një dado nga Gjakova, gjë e cila ka bërë që Sidran të jetë në kontakt të shpeshtë me shqipen. Gjatë takimit të djeshëm zhvilluar në ambientet e “Tirana International Hotel”, dramaturgu 63-vjeçar u shpreh se “jam mjaft entuziast që kjo shfaqje do të vendoset në një skenë shqiptare”. Sindran njihet për realizimin e disa skenarëve të tij në bashkëpunim me regjisorin Ermir Kusturica. “Bashkëpunimi ynë u ndërpre për bindjet tona politike, dhe kinematografia e fundit, që kam realizuar me të ka qenë para pushtimit të qytetit tim, një seri spotesh televizive për paqen” tregon ai. Ndërkohë aktiviteti i djeshëm vijoj me prezantimin e krijimtarisë së tij si shkrimtar, poet, prozator, skenograf dhe krijimtarisë së tij artistike për gati 37 vjet. Ndërsa shfaqja e cila është realizuar në Shqipëri nga një kastë aktorësh shqiptarë dhe italianë, lindi nga një bashkëpunim midis Kompanisë Teatrore të Mantovës (Itali) dhe Teatrit Metropolitan, në Tiranë nën drejtimin e Kiço Londos. Vepra e shkruar në vitin 2002, e cila vjen nën regjinë e Frederica Restanit, flet për jetën e një kompozitori, gjatë kohës së luftës në Bosnjë Hercegovinë, kur artisti tentoi të shkruante vargje për lumin Drina në Zvornik, kufiri ndarës me Serbinë. Në role interpretojnë aktorët italianë Adriano Evangelisti, Marco Casazza, Erica Puddu së bashku me aktorët profesionistë shqiptarë, Ema Andrea, Alert Çeloaliaj, Lulzim Zeqja, Helidon Fino, Devis Muka.