Everett rikthen Bajronin në “Vendin e Shqipeve”
Anila MEMA
Bajroni rikthehet në “Vendin e shqipeve”. Mbi gjurmët e tij, ka nisur të rrugëtojë aktori i njohur i Hollivudit, Rupert Everett. Artisti i famshëm anglez, i njohur për rolet e tij në filma të ndryshëm hollivudianë përkrah Julia Roberts, Antonio Banderas apo Edi Murphy, këtë fundjavë do të gjendet në Shqipëri. Projekti që ka ndërmarrë për t’iu rikthyer edhe njëherë kohës që Lord Bajroni kaloi në Shqipëri, është një film dokumentar. Për të Everett ka gjetur mbështetje nga televizioni i njohur në vend “Channel Four News”. Filmi është ideuar si një tentativë për të kuptuar arsyet e largimit të poetit të madh nga vendlindja dhe tërheqjes së tij nga orienti. Një film që në minutat e së cilit do të sillen risi dhe fakte të panjohura, kjo si një dhuratë në prag të 200-vjetorit të ardhjes së Bajronit në Shqipëri. Dhe vendi ynë, është i vetmi që do të zërë një pjesë të mirë të filmimeve për këtë dokumentar, i cili këtë fundjavë do të sjellë në Shqipëri edhe aktorin Everett. Ekipi që është vendosur ta shoqëroj Rupert nuk do të filmojnë jo vetëm vendet e njohura të shkelura nga poeti, por edhe viset e Shqipërisë së Jugut. Në dokumentarin që pritet të realizohet për jetën e Bajronit në orient, një vend të veçantë do të zërë edhe trajtimi i marrëdhënies së Lordit me shqiptarët dhe veçanërisht me Ali Pashë Tepelenën dhe mikpritjen e tij. Në këtë aventurë shqiptare aktori anglez do të ketë si protagonist në rrugën e Bajronit, studiuesin shqiptar Auron Tare, i cili vitin e kaluar realizoi një dokumentar mbi udhëtimin e Bajronit në Shqipëri nga shkrimtari i njohur anglez Robin Hanbury Tennyson. Por e veçanta e këtij projekti të aktorit të njohur, i cili ka bërë famë ndërmjet interpretimeve të tij në filma të ndryshëm të vlerësuar edhe me çmime, do të jetë edhe nxjerrja në dritë e kontributit të mikut të Bajronit Hobhouse, i cili ka lënë një ditar të detajuar mbi rrugën e tij dhe të mikut të tij Bajronit në viset shqiptare. Britaniku Rupert Everett u rrit në rrethana të privilegjuara, por shpesh arrogant, i pasjellshëm dhe rebel që nga vogëlia. Në moshën 7-vjeçare, ai u vendos nën kujdesin e murgjve në Kolegjin Ampleforth, ku u trajnua veçanërisht për piano. Ai u përjashtua nga Shkolla Qendrore për letërsi dhe dramë në Londër, për shkak të zënkave me mësuesit dhe ndërkohë mësoi në mënyrë autodidakte, duke frekuentuar teatrin nacional të Glasgow-t në Skoci, ku performoi në disa produksione si: “Don Zhuani” dhe “Heartbreak House”. Në 1984, Everett realizoi rolin kryesor në “Another country”, ku tërhoqi vëmendjen e ndërkombëtarëve, duke u bërë një yll i ri i Anglisë. Por sërish natyra e tij rebele, u bë shkak që të kishte konflikte madje edhe me vetë fansat e tij. Në 1989, Everett deklaroi haptazi se ishte homoseksual, deklaratë e cila mund të dëmtonte rëndë karrierën e tij filmike. Por me kalimin e kohës, duket sikur ka dhënë efekt të kundërt. Karriera e tij u rivitalizua, ndërsa mori pjesë si miku i ngushtë homoseksual i Xhulia Roberts, në filmin “Martesa e mikut tim më të mirë” (1997) dhe vazhdoi të impresionojë me shfaqet klasike si “Shekspiri i dashuruar” (1999) dhe “Ëndrrat e një nate vere” (1999) në rolin e Oberonit. Më pas, ai realizoi dy filma, i pari në rolin e një mbajtësi kurore “Të vrasësh një mbret”, në 2003 dhe “Periudha e Bukurisë”. Duke bërë publike vendimin e tij “të daljes jashtë”, Rupert është dëshmia e gjallë e teorisë së përgënjeshtruar, se një talent i vërtetë dhe udhëheqës romantik i suksesshëm nuk mund të mbijetojë dhe karriera e tij vdes, nëse deklarohet hapur se është gay.