Fotografët në garë për “Sotirin”
Për herë të parë në Tiranë organizohet konkursi ndërkombëtar për fotografë të rinj “Sotiri”. I mbajtur pak muaj më parë në Korçë, ky konkurs vjen në Galerinë Kombëtare të Arteve, i cili do të çelet sot. Marrin pjesë 60 fotografi të 19 autorëve nga Austria, Belgjika, Greqia, Holanda, Singapori, Maqedonia, Bosnje-Hercegovina, Finlanda, Kosova, Gjeorgjia dhe Shqipëria. E titulluar “Save this/Ruaje këtë”, koncept i cili fton për një marrëveshje mes fakteve dhe historisë, për të sjellë perceptime të artisteve mbi atë që ndodh në qendër dhe periferi të vëmendjes njerëzore. Kjo ekspozitë ka si qëllim të përcjell nismën jo vetëm estetike të qendrës kulturore “Lindart”, por edhe për të kthyer vëmendjen tek fotografia tradicionale dhe bashkëkohore në Shqipëri. Bashkë me ekspozitën do të prezantohet edhe katalogu dy-gjuhësh për pjesëmarrësit në aktivitetin që sponsorizohet nga Swiss Cultural programme in the Western Balkans, Bashkia Korçë, dhe MTKRS.