Bashkimi Evropian: 700 mijë dollarë asistencë për KLD-në
BE mbështeti Këshillin e Lartë të Drejtësisë me një projekt asistence prej 700 mijë dollarësh. Ndërkombëtaret ripërsërisin qëndrimin e tyre se për reformën në drejtësi kërkohet ekspertiza ndërkombëtare. Kreu i Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmut Lohan, gjatë këtij aktiviteti me Presidentin Bamir Topi, kërkoi që Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë të përmirësojnë marrëdhëniet mes tyre. Edhe Presidenti Topi ka theksuar se për të krijuar standardet në drejtësi është e nevojshme përvoja e partnerëve ndërkombëtarë. U mbajt dje në Tiranë ceremonia mbyllëse e projektit prej 700 mijë dollarësh të Bashkimit Evropian, "Mbështetje për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Inspektoratit të tij". Projekti u zbatua nëpërmjet një binjakëzimi mes Këshillit të Lartë të Drejtësisë shqiptare dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit italian, në partneritet me Këshillin e Lartë të Gjyqësorit spanjoll. Projekti e ndihmoi KLD-në në përmirësimin e sistemeve të menaxhimit profesional dhe praktikave të punës për të rritur eficencën, transparencën dhe drejtësinë e gjyqësorit në Shqipëri. Në veçanti, ekspertët italianë dhe spanjollë punuan me Këshillin e Lartë të Drejtësisë shqiptare për zhvillimin dhe zbatimin e sistemeve të reja të emërimit, transferimit, ngritjes në detyrë, vlerësimit dhe inspektimit të gjykatësve, si dhe me sqarimin e kompetencave përkatëse të inspektorateve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me procedurat disiplinore.