Ndoka: Berisha bën diversion
Partia Demokristiane i cilëson diversione deklaratat e Kryeministrit për kampin e majtë dhe Kodin Elektoral. Sipas kreut demokristian, Nard Ndoka, "thirrjet e shefit të qeverisë, të cilat i kushtojnë rëndësi raporteve mes koalicionit të majtë dhe marrëdhënieve mes PS-së dhe LSI-së nuk janë deklarata të Kryeministrit, por janë thjesht diversione". Ndoka theksoi se "Berisha nuk duhet të harrojë që PDK është parti e kampit të djathtë dhe përpara se t‘i bëjë thirrje PS-së për dialog me LSI-në fillimisht duhet të dialogojë me PDK-në". Kreu demokristian e shikon lëvizjen më të re të Kryeministrit Berisha, por të vjetër në stilin politik të tij, se do të rihapë një debat mes partive të mëdha dhe të vogla për Kodin Zgjedhor. Në kushtet kur pozicionet reale të PD-së dhe PS-së për Kodin nuk ndryshojnë, në rastin më të mirë vonon akoma më shumë miratimin e Kodit pas kthimit në Kuvend nga kreu i shtetit.