Spanja e Çekia ratifikojnë protokollin e anëtarësimit në NATO
Dje kanë ratifikuar protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dy vende të tjera, përkatësisht Spanja dhe Çekia. Zyra e shtypit të Kuvendit bën të ditur se Protokolli i Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO është ratifikuar dje nga Senati Spanjoll. Spanja shënon vendin e dymbëdhjetë ratifikues të protokollit. Nëpërmjet një letre falënderimi drejtuar Presidentit të Senatit, Francisco Javier Rojo, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka shprehur vlerësimin e saj personal dhe të Kuvendit të Shqipërisë për mbështetjen që Spanja po i jep procesit të integrimit euroatlantik të vendit tonë. Gjithashtu, vlerësim dhe mirënjohje Kryetarja e Kuvendit ka adresuar dje edhe ndaj kreut të Dhomës së Deputetëve të Çekisë, Milosval Vlecek. Dhoma e Deputetëve të Çekisë ka ratifikuar dje në mesditë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO-n. Çekia bëhet kështu vendi i trembëdhjetë që ratifikon këtë protokoll. Vendet kryesore tashmë kanë ratifikuar Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Në këtë listë bën pjesë edhe SHBA-ja, e cila i ka dhënë një mbështetje të madhe vendit tonë. Në prill të këtij viti, vendi ynë mori ftesën për t‘u anëtarësuar në NATO dhe në prill të 2009-ës Shqipëria pritet të bëhet anëtare më të drejta të plota së bashku me Kroacinë.