Rama: Fitore për ndryshim, jo për pushtet
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, lançoi dje pasdite në Pallatin e Kongreseve Rrjetin e Vullnetarëve të Shqipërisë. Në takim, lideri i opozitës theksoi se Shqipëria evropiane është ëndrra jonë dhe detyrimi ynë për ta ndërtuar Evropën këtu, në vendin ku jetojmë. "18 vjet më parë, një ëndërr e ndaluar nxori në rrugë qytetarët. 18 vjet më vonë e njëjta ëndërr e parealizuar kërkon rrugë. Shqipëria evropiane është ëndrra jonë, sfida dhe detyrimi ynë është ta ndërtojmë Evropën këtu, në vendin ku jetojmë, në çerdhet, kopshtet, shkollat, spitalet e rrugët tona, në institucionet e shtetit të të gjithëve dhe në hapësirën e konkurrencës së lirë e të ndershme për secilin", tha Rama. Transformimi i kësaj bërthame energjie dhe shprese të re që ju mishëroni sot, në një rrjet vullnetarësh që do të përçojë në muajt në vijim anembanë vendit fuqinë e ndryshimit, insistoi Rama, do të na çojë jo vetëm në fitoren e zgjedhjeve, po edhe në ndarjen e shumëpritur me të shkuarën, ku vazhdojmë të jetojmë prej 17 vjetësh. "Zgjedhjet e qershorit të ardhshëm nuk janë zgjedhjet e mia, po zgjedhjet tuaja. Fitorja e tyre ka të bëjë me sfidën time personale, aq sa çka të bëjë edhe me sfidën e secilit prej jush, në një kohë sfidash të mëdha kur Shqipërisë i duhet me patjetër një rrugë e re", u shpreh Rama. Nuk na duhet një fitore për të çuar në pushtet disa njerëz në vend të disa të tjerëve, tha Rama, po një pushtet që të na çojë në fitoren e këtyre sfidave që s‘mund t‘ua lemë të tjerëve. "Askush në vendin tonë, askush më mirë se ne, askush më vonë se sot, s‘mund t‘i ketë shanset dhe mundësitë që të përballet me sukses me varfërinë, papunësinë, injorancën, dhunën, korrupsionin", këmbënguli kreu i socialistëve. Politikanët kacafyten prej vitesh me njëri-tjetrin se kush i lufton më shumë këta armiq të kudondodhur, tha Rama, ndërkohë që papunësia shton radhët kilometrike të shqiptarëve të cilët s‘kanë të drejtën e jetesës me një punë të ndershme.