E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD: Qeveria nuk na pyeti për ligjin

Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe deputetët e PD-së janë përplasur dje në Komisionin e Ligjeve, për projektligjin mbi Gjykatën Administrative. Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, ka kontestuar draftin e qeverisë, duke deklaruar se Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk është pyetur për hartimin e tij. Qëndrimi i nënkryetarit të KLD-së ka qenë mjaft kritik ndaj ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Sipas Spahiut, Ministria e Drejtësisë e ka dërguar draftin për Gjykatën Administrative vetëm ditën e premte në KLD dhe ka kërkuar që deri ditën e hënë të ishin bërë të gjitha sugjerimet dhe komentet për të. Ndërkohë, ka shtuar Spahiu, ai nuk ka qenë drafti përfundimtar, i cili ndodhej në duart e qeverisë, por drafti fillestar, të cilit i janë bërë përmirësime edhe më pas. "Shkresa që Ministria e Drejtësisë i ka përcjellë KLD-së, është shoqëruar me versionin jozyrtar të projektligjit ‘Për gjykatat administrative‘. Në mungesë serioziteti të plotë, KLD është detyruar të diskutojë jo mbi projektin final, por mbi një projekt fillestar në prezencë edhe të ekspertëve ndërkombëtarë, pasi ministria e kishte kaluar draftin në qeveri", është shprehur nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, dje në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. Por, pretendimi i nënkryetarit të KLD-së, është kundërshtuar me tone të forta nga përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë, Marsida Xhafkollari, e cila, duke mos pritur të marrë fjalën nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, ka theksuar se "drafti i është dërguar për të marrë mendim KLD-së, sikundër ju është përcjellë edhe gjithë subjekteve të tjera të interesuara. Ministria e Drejtësisë nuk ka kthyer mbrapsht asnjë mendim, madje është munduar t‘i reflektojë ato në projektligj. Përgjigjja nga KLD-së ka qenë se "nuk mund të japë mendim brenda afatit të përcaktuar nga ministria", apo se "ndodhemi me shërbim jashtë shtetit". Pavarësisht këtij qëndrimi dhe drejtoreshës së Ministrisë së Drejtësisë dhe vetë deputetëve të PD-së, të cilët po ashtu me tone të ashpra kanë kritikuar qëndrimin e nënkryetarit të KLD-së, ky i fundit ka bërë disa vërejtje mbi këtë projektligj, ku në thelb të tyre ishte marrja e kompetencave të KLD-së nga Ministria e Drejtësisë. Sipas Spahisë, "KLD ka atributin e shkarkimit dhe emërimit të gjyqtarëve, ndërkohë që në projektligj kompetenca e shkarkimit dhe emërimit të tyre do t‘i takojë Ministrisë së Drejtësisë". Duke komentuar një pikë të projektligjit, nënkryetari i KLD-së, Spahiu, deklaroi se "kjo metodë e shkarkimeve lë shteg për abuzime, ndërsa për sa i takon emërimit të sekretarit administrativ të parashikuar në projektligj, ai është një model i dështuar, pasi duhen krijuar gjykata të veçanta dhe jo seksione gjykatash".

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, projektligji "Për gjykatën administrative" parashikon krijimin e një sistemi gjyqësor të gjykimit administrativ, jashtë praktikave korruptive, me synim mbrojtjen e individit dhe biznesit ndaj praktikave abuzive të administratës shtetërore. Në relacion thuhet se ky projektligj është hartuar nga një grup ekspertësh të sistemit gjyqësor, në bashkëpunim me ekspertë francezë dhe gjermanë. Por sesi do të shkojë me tej çështja e këtij projektligji, nëse do të miratohet kështu siç është, apo do të ndryshohet, kjo mbetet për t‘u parë. Por ky projektligj zbuloi edhe njëherë përplasjen mes institucioneve dhe ekzistencën e dy rrymave të ndryshme që ekzistojnë mes KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›