E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodheli: Iliri, shpresa e fundit për Berishën

Selia rozë ka pritur me indiferentizëm deklarimet e Kryeministrit Sali Berisha dhe ish-kryeministrit Ilir Meta. Zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, u prononcua direkt teksa shoi shpresat e Lëvizjes Socialiste për Integrim të Ilir Metës. "Nuk na çudit fare shfaqja e dyfytyrësisë së radhës që Sali Berisha dha sot duke i qarë hallin Ilir Metës", tha Kodheli. Sipas saj në derexhenë ku është katandisur Kryeministri, Iliri është vërtet shpresa e fundit që i ka mbetur për të spostuar vëmendjen e opinionit publik nga skandalet e tmerrshme të korrupsionit qeveritar. "Përgjigjja jonë është e thjeshtë: Parlamenti duhet të votojë pa humbur kohë vetëm për dekretin e Presidentit", këmbënguli Kodheli. Të tjerat, vijoi ajo, janë politikë e vjetër kulisash e diversionesh që Saliu dhe Iliri mund të vazhdojnë t‘i bëjnë njëri-tjetrin. Drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim bënë publikisht një replikë mbi replikën. Sekretari i përgjithshëm, Petrit Vasili, e cilësoi reagimin e Partisë Socialiste si irracional. "PS nuk duhet të jetë shkaku i krizës. Standardet duhet të jenë mbi interesat e ngushta", u shpreh Vasili. Teksa ngulmoi se ftesa e Ilir Metës për kreun socialist, Edi Rama, mbetet e hapur. Deklarimet dhe kundërdeklarimet mes Kodhelit dhe Vasilit duket se i shërbejnë veçse acarimit të mëtejshëm të marrëdhënieve brenda bllokut të së majtës. Situatë që po shfrytëzohet më së miri nga Kryeministri Sali Berisha për të fituar terren politik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›