E Diel, 1 Nëntor 2026

Spanja pro integrimit. Berisha: Do dorëzojmë në kohë pyetësorin

Autori i Lajmit: RedaksiaKryeministri Sali Berisha priti dje ambasadorin e Spanjës, Emanuel Montobio dhe Ambasadorin e BE-së, Helmut Lohan të cilët e informuan Kryeministrin për prioritetet e Presidencës spanjolle të BE-së për gjashtë muajt në vijim. Ambasadorët i shprehën Kryeministrit angazhimin dhe vendosmërinë e plotë të BE-së dhe presidencës spanjolle për të mbështetur plotësisht përpjekjet e qeverisë shqiptare për ecjen përpara në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Berisha vlerësoi se, presidenca spanjolle e BE-së vjen në një moment historik dhe se ka privilegjin të ofrojë kontributin në implementimin e Traktatit të Lisbonës, si presidenca e parë, pas hyrjes së tij ne fuqi. Ndërsa Traktatin e Lisbonës e cilësoi si një ndër ngjarjet më të shënuara në historinë e BE-së. Bashkimi Evropian dhe presidenca spanjolle e radhës mbështesin plotësisht perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe do të vazhdojnë të përkrahin atë dhe qeverinë shqiptare në të gjitha përpjekjet për të ecur përpara me hapat e mëtejshëm në këtë drejtim duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë shqiptare edhe në këtë fazë të përgatitjes së përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Evropian, si edhe në projektin tjetër për liberalizimin e vizave. Kryeministri i falënderoi të dy ambasadorët për ekspozenë dhe shprehu mirënjohjen e tij dhe të qeverisë shqiptare për përcaktimin nga ana e presidencës spanjolle të zgjerimit të BE-së si një ndër prioritete kryesore të punëve të saj. Në këtë kontekst, Berisha u shprehu ambasadorëve vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të përgatitur dhe për ti dorëzuar KE-së dokumentin më cilësor me përgjigjet për pyetësorin dhe për të marrë çdo masë e për të realizuar çdo reforma në fushat prioritare, me qëllim që Shqipëria të ecë me hapa të shpejtë të përpara, si në ecjen e mëtejshme të procesit të anëtarësimit në BE, ashtu edhe për liberalizimin sa më shpejtë të vizave për qytetarët shqiptarë. Kryeministri shfrytëzoi rastin të falënderojë të dy ambasadorët për vizitën që ata kryen në zonat e prekura nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e jashtëzakonshme, si dhe për ndihmën dhe solidaritetin që vendet e Bashkimit Evropian i ofruan Shqipërisë për kapërcimin e kësaj situate.
Ky lajm është publikuar: 16/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›